Pochettino para ndeshjes me Man Cityn: Nuk është duel mes meje e Guardiolës …

Futboll 28 Prill 2021 12:40

Trajneri i PSG-së, Mauricio Pochetino ka folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër Manchester Cityt, shkruan Insporti.

Pas eliminimit të Bayernit, francezët janë kandidatë për finale, por për argjentinasin hapat duhen hedhur me radhë.

“Për mua nuk ndryshon asgjë. Nuk është e rëndësishme të fillosh në shtëpi apo në transfertë. Ajo që ka rëndësi është të luash sa më mirë për të merituar fitoren. Nuk e shoh si një sfidë personale me Guardiolën, pasi bëhet fjalë për një ndeshje mes ekipit tim dhe një tjetri. E nënvijëzoj, nuk është një betejë personale, është PSGja kundër Sitit”. Përvoja më e vogël krahasuar me homologun e anglezëve nuk e tremb Poçetinon. Mesazhi për skuadrën është i qartë dhe trajneri bën apel për vëmendje kur deklaron:

“Do të jetë një betejë mes dy ekipeve të mëdha. Guardiola është një nga trajnerët më të mirë në botë e unë e admiroj karrierën e tij. Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për të dyja skuadrat. Ka lojtarë fantastikë, do të jetë një lojë e vështirë dhe zjarrtë.” Pa dyshim që Siti ka yjet e tij, por edhe Parisi me Nejmar e Mbapenë, nuk mund të ankohet. Poçetino është i lumtur për dy fenomenët që ka në organikë, por preferon ta përkëdhelë haptazi të gjithë grupin që ka në dispozicion. “Te PSG-ja nuk bëjmë asgjë specifike për një lojtar.

“Nuk ka asgjë të veçantë, të gjithë marrin të njëjtin trajtim. Nejmar është shumë modest dhe gjithmonë i pranon të gjitha këshillat e mia. Brazilianët kanë diçka të veçantë brenda, ata duan të luajnë futboll sepse është si një kërcim, por edhe djemtë e tjerë janë të motivuar dhe të gatshëm për të bërë një paraqitje të madhe”, përfundoi deklaratën e tij Poçetino.

-->