Poirier mposht Hollowayn – Khabibi i dërgon këtë paralajmërim

Sporte luftarake 14 Prill 2019 16:26

Dustin Poirier ka fituar me vendim unanim të gjyqtarëve duelin ndaj Max Holloway, duke fituar edhe titullin e përkohshëm në peshën e lehtë (pesha 66-70kg).

Kjo sfidë me 5 raunde u zhvillua mëngjesin e sotëm në Atlanta të Shteteve të Bashkuara dhe ishte e vlefshme për eventin UFC-236.

Një duel në përgjithësi i ekuilibruar, ku edhe barazimi mund të kishte qenë një rezultat i pranueshëm. Sidoqoftë, të 3 gjyqtarët votuan në favor të Poirier: 49-46, 49-46, 49-46.

Falë këtij triumfi, Poirier, 30-vjeçar, siguroi të drejtën të përballet me kampionin e këtij Divizioni, Khabib Nurmagomedov (në shtator).

Përballja ishte shumë e bukur, aq sa fitoi çmimin “dueli i mbrëmjes”. Poirier më i saktë dhe në avantazh pas dy raundeve të parë, duke goditur fort Holloway, që reagoi në raundet e tjerë dhe rihap sfidën.

Mjaft i ekuilibruar edhe raundi i pestë, por duket se Poirier kishte siguruar pikët e nevojshme për ta fituar përballjen.

Kjo ishte përballja e dytë mes dy luftëtarëve, pasi edhe 7 vite më parë ka fituar po Poirier (asokohe me submission”. Për Poirier kjo ishte fitorja e 25-të në karrierë, ku numërone dhe 5 humbje e 1 duel pa rezultat.

Ndërsa 27-vjeçari Holloway, kampion bote në peshën “featherweight” (pesha 61-66), u ndal pas 13 fitoresh radhazi (20 fitore e 4 humbje në karrierë). Ai pritet të rikthehet në peshën “featherweight”.

Pas fitores së Poirier, Khabib Nurmagomedov ka reaguar në rrjete sociale, duke i thënë se “do të shihen në shtator”.

“Nuk pajtohem me gjyqtarët, 49:46, për mua ishte barazim, respekt për të dy luftëtarët dhe arritja e Porierit deri tani nuk mund të mohohet, urimet e mia Dustin, shihemi në shtator”, ka shkruar Khabibi në ‘Twitter’.

Ndërkaq, pas këtyre deklaratave të Khabibit reagoi edhe Poirier, që tha se do ta rrahë Khabibin me “sasinë e duhur të çmendurisë”.

“Nuk e di. Trajneri im më tha se nëse shkoj dhe e fitoj rundin e pestë, do të bëhesha kampion, dhe unë e fitova rundin e pestë”, tha Poirier.

Kur u pyet rreth duelit me Khabibin, Poirier për MMA Junkie tha se beson që do të fitonte në këtë duel, për shkak se ka “kurajën, vendosmërinë, çmendurinë e duhur, besimin në vetvete. Të gjitha ato që nevojiten për t’u bërë kampion, unë i kam ato”, tha amerikani 30-vjeçar. /Insporti.com/