Policia e Kosovës intervistoi zyrtarët e Përfaqësueses së Kosvoës për rastin “Muric – Zhegrova”

Futboll 24 Mars 2021 12:50

Policia e Kosovës i ka marrë në pyetje disa persona në lidhje me raportimet në media për gjoja një përleshje fizike në ekipin kombëtar të Kosovës mes portierit Aro Muric dhe anësorit Edon Zhegrova.

Zëdhënësja e policisë së Kosovës, Florie Ahmeti, ka konfirmuar për Gazetën Express se nuk do të hapet rast për këtë incident.

“Pas raportimeve të mediave, Policia e Kosovës ka  kontaktuar personat kompetent të  hotelit  si dhe menaxherin e përfaqësueses dhe ka rezultuar se nuk ka pas elemente për inicim të ndonjë rasti”, tha Ahmeti.

Portieri i parë i Kombëtares, Muric, u përjashtua të martën prej kampit dardan për ndeshjet e këtij muaji nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Në një komunikatë për media, organi qeverisës i futbollit të vend e njoftoi se i kishte përjashtuar portierin e klubit holandez Willem II për, siç tha, arsye disiplinore. 

Por në media u raportua bujshëm për një përleshje fizike mes tij dhe yllit të llastuar të ekipit kombëtar, sulmuesit të Baselit Zhegrova. Po ashtu, në disa media të tjera lokale u raportua se Muric kishte shkuar në gjendje të dehur në hotelin ku po qëndronte kampi verdhekaltër.

Kjo e ka shtyrë policinë t’i marrë në pyetje disa persona, përfshirë zyrtarët e hotelit ku është e vendosur Kombëtarja dhe menaxherin e ekipit kombëtar të Kosovës.

-->