Policia jep informacione lidhur me ndalimin që iu bë ekipit serb të basketbollit

Basketboll 04 Dhjetor 2018 13:25

Policia e Kosovës ka bërë të ditura detajet lidhur me ndalimin që iu bë ekipit serb të basketbollit, Partizani i Beogradit.

Partizani i Beogradit kishte paralajmëruar zhvillimin e një ndeshjeje miqësore në Leposaviq me një ekip lokal të basketbollit, por nuk kishte kërkuar leje nga Federata e Basketbollit e Kosovës dhe nuk kishte lajmëruar autoritetet për zhvillim të saj, kështu që i është ndaluar hyrja në Kosovë.

Kjo është komunikata e lëshuar nga policia e Kosovës:

“Policia e Kosovës, në pikë kalimin kufitar Jarinje, sot rreth orës 11:40/45 ia ka refuzuar hyrjen një veture me targa “BG”, në të cilën gjendeshin një zyrtar dhe tre persona të tjerë, si dhe një autobusi po ashtu me targa “BG”, i cili kishte ardhur nga Serbia në drejtim të Republikës së Kosovës (RKS).

Personit zyrtar dhe shoqërueseve të tij me veturën Audi me targa “BG”, iu është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës, pasi që të njëjtit nuk kanë poseduar leje për hyrje nga Ministria e Punëve të Jashtme e RKS-së.

Po ashtu autobusi i cili kishte ardhur nga Serbia në drejtim të RKS-së, në të cilin kanë qenë klubi i basketbollit “Partizani i Beogradit”, iu është refuzuar hyrja pasi të njëjtit nuk kanë poseduar leje për hyrje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (Federata e basketbollit të RKS-së).

Pas sqarimeve dhe informacioneve zyrtare që iu janë dhënë, të njëjtit janë kthyer në drejtim të Serbisë.” /Insporti.com