Ponte Prizreni vetëm një hap larg gjysmëfinales

Superliga 17 Prill 2019 21:33

Ponte Prizreni e ka fituar ndeshjen e parë çerekfinale në udhëtim te Rahoveci me rezultat 71:70, në një përballje që pati përfundim “të çmendur”. Vendësit në sekondën e fundit ishin në epërsi me 70:68, por në atë moment  Elliott Cole ka shënuar tri pikë për prizrenasit për t’iu gëzuar fitores së madhe.

Në fakt ndeshja ka filluar të martën, por që ishte ndërprerë për shkak se u thye tabela e njërit kosh në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, kur rezultati ishte 33:25 për Ponte Prizrenin.

Ndeshja në tërësi ka qenë rivalizuese dhe dramatike, pasi të dyja palët e dëshironin shumë fitoren.

Pas 40 minutave lojë, të zhvilluara në dy ditë, fitorja me rezultat 71:70 i takoi Ponte Prizrenit, me trepikëshin e Eliott Cole, të realizuar në sekondën e fundit të ndeshjes.

Më të merituarit për fitoren e Ponte Prizrenit ishin Brandon Scott me 19 e Malcom Canada me 16 pikë.

Ndërsa, te Rahoveci më të dalluarit ishin Fredrik Richardson me 18, Arian Qollaku (16) dhe Deshon Minnis  me 17 pikë të shënuara

Ndeshja e dytë do të zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi” të premten në Prizren, ndërsa në gjysmëfinale kualifikohet skuadra që i shënon dy fitore.