Dybala tregon golin e tij më të bukur

Futboll 07 Dhjetor 2018 16:58

Paulo Dybala ka thënë se është me fat që luan me Juventusin dhe se festimi i tij pas çdo goli është një mesazh.

“Maska nuk është shumë një festim për golin, por një mesazh”, ka thënë argjentinasi gjatë një evenimenti të Adidasit. “Është një maskë ideale, si ato që mbanin gladiatorët kur luftonin. Ideja e këtij festimi ka lindur pas humbjes së pësuar në Superkupën e Italisë të luajtur në Doha kundër Milanit”, ka thënë sulmuesi argjentinas.

“Goli im më i bukur? Ai që shënova sezonin e kaluar kundër Lazios. Më dha një gëzim të madh duke parë si po shkonte ndeshja”, ka vazhduar “Joya”, i cili më pas ka folur edhe për zgjedhjen e numrit të fanellës pas transferimit tek Juventus.

“Kalova tek Juventus tre vite më parë dhe zgjodha fanellën me numrin 21, sepse aq vjeç isha në atë kohë. Më pas klubi më kërkoi të merrja 10-ën dhe nuk ka qenë një vendim i lehtë, sepse e dija se kritikat do të shtoheshin. Gjithsesi, e pranova sfidën. Ndihem me fat që jam pjesë e një klubi të madh”, ka shtuar Dybala.