Prishtina më në fund “djersitet” shumë

Superliga 10 Prill 2019 21:17

Prishtina e ka shënuar fitoren e 27-të në po aq ndeshje të kampionatit të sivjetmë, por sonte basketbollistët e saj është dashur të djersiten shumë për të fituar në udhëtim te Rahoveci me shifrat 94:91.

Palestra “Mizahir Isma” edhe sonte ka qenë arenë e një atmosfere fantastike të krijuar nga tifozët vendas, të cilët gjatë gjithë kohës nuk ndaluan së përkrahuri skuadrën e tyre.

“Vreshtarët” sivjet, e sidomos pas përurimit të palestrës në Rahovec, kanë qenë hijeshia e kampionatit dhe kështu pritet të jenë edhe në pjesën e mbetur të edicionit.

Dardan Berisha me 42 pikë ishte kreator i fitores së kryeqytetasve, tek të cilët pikë dyshifrore patën edhe Ahmed Bashir (24) dhe Divine Myles, i cili ndeshjen e përfundoi me 10 pikë të shënuara.

Fredrik Richardson me 34 dhe Deshon Minnis me 24 pikë ishin më efikasit te Rahoveci.

Pas kësaj fitoreje, Z Mobile Prishtina mbetet e pamposhtur dhe e kryeson renditjen me 54 pikë, ndërsa Rahoveci renditet në pozitën e tretë me 44 pikë.