Prekazi flet për izolimin dhe çështjen e titullit

Futboll 04 Prill 2020 17:54

Arbër Prekazi, ashtu si të gjithë sportistët tjerë, është duke e kaluar kohën në shtëpi, por duke shpresuar që kjo situatë të mos zgjasë shumë. I karantinuar për shkak të koronavirusit, mbrojtësi i Ballkanit vazhdon të stërvitet në kushte të shtëpisë.

“Kohë mjaft e vështirë, sidomos për ne sportistët që jemi mësuar të jemi aktivë çdo ditë. Megjithatë, po mundohemi në kushte shtëpiake të improvizojmë stërvitje dhe të mbajmë formën. Gjithsesi duhet të jemi të durueshëm e shumë të disiplinuar në këtë gjendje pandemie, sepse vetëm duke qëndruar në shtëpi e duke qenë të disiplinuar e ruajmë njëri-tjetrin dhe shpejtojmë kohën e përfundimit të kësaj gjendjeje”, ka thënë Prekazi për Insporti.com.

Që prej ndërprerjes së aktiviteteve sportive për shkak të koronavirusit, ndër temat që është diskutuar shumë është edhe çështja e përfundimit të kampionateve dhe dilema se si do të përcaktohet kampioni i ri.

“Sa i përket sezonit futbollistik ku gjendemi për momentin është e vërtetë që gjërat janë ndërlikuar, por kjo gjendje është në gjithë botën dhe si te gjitha shtetet tjera, edhe ne po presim rifillimin e sezonit ose zgjidhjen me te mire të mundshme për të përfunduar sezonin në tërësi, pasi anulimin e sezonit, as unë por as ekspertët e FIFA-s e UEFA-s nuk e shohin si zgjidhje”.

Pas 22 javësh të zhvilluara, skuadra e tij, Ballkani, gjindet në pozitën e parë me 44 pikë, një më shumë se Drita./Insporti/

-->