Premtor Taraku shpëtoi mrekullisht nga ky aksident (FOTO)

FASK 01 Tetor 2019 18:19

Në fundjavë, në Goden të Gjakovës, u mbajt gara e fundit e disiplinës malore në kuadër të kampionatit të sivjetmë të Kosovës në automobilizëm.

Premtor Taraku, Fatos Krasniqi dhe Agron Shulina nuk e përfunduan garën, pasi patën aksidente. Më serioz ishte aksidenti i Tarakut, vetura e të cilit në dukje të parë jep përshtypjen e pasojat janë të mëdha, por për fat të mirë, Premtori ka shpëtuar mrekullisht.

“Falë Zotit kam shpëtuar shumë mirë, madje pa asnjë gërvishtje. Me insistimin e zyrtarëve të garës, kam shkuar për kontroll të tërë trupit, por gjithçka është në rregull, nuk kam asnjë lëndim”, ka thënë Taraku për Insporti.com.

Aksidenti ndodhi në një pjesë kur disa nga veturat me njërën rrotë kanë dalë nga asfalti në dhe. “Është shteg shumë atraktiv, ku mund të arrihet shpejtësi e madhe. Nuk kam pasur nevojë të rrezikoj asgjë, sepse nuk më duhej pozita e parë për të qenë i parë në plasmanin përfundimtar. Mirëpo, dëshira për të provuar shpejtësinë më të madhe bëri që në atë moment njëra rrotë të dalë nga asfalti në dhe, e më pas ishte e pamundur të kthehem. Gjithsesi ky është një mësim për mua dhe gjithë garuesit”, ka shtuar Taraku.

Ai shprehet optimist se do të rikthehet përsëri te suksesi, por gjithsesi i zhgënjyer që Kampionati i Kosovës ka mbetur pa një veturë që i plotëson të gjitha kërkesat për gara zyrtare. “Vetëm fakti që vetura ka qenë e pajisur me gjithçka që nevojitet dhe atë në mënyrën më profesionale të mundshme ka bërë që unë të shpëtoj kështu. Sigurisht që do të kthehem shpejt, por është vështirë që vetura, sidomos disa detaje të saj’ të gjinden ashtu siç i ka pasur para aksidentit”, është shprehur Premtori, i cili me gjasë do të jetë i dyti në renditjen e përgjithshme të Klasës 4 për kampionatin e sivjetmë/Insporti/

 

-->