Presidenti i Federatës italiane: Juventusi është shembull për skuadrat e tjera në Serie A

Futboll 29 Mars 2020 18:44

Presidenti i FIGC, Gabriele Gravina e ka përshëndetur Juventusin si “një shembull për të gjithë sistemin” pasi stafi i tyre pranoi ulje pagash.

Lojtarët e skuadrës së parë të Juventusit dhe trajneri Maurizio Sarri nuk do të marrin pagë deri në qershor, si pjesë e masës për të ndihmuar klubin të mbetet financiarisht i qëndrueshëm për kohëzgjatjen e pandemisë koronavirus.

“Marrëveshja e arritur nga Juventus është një shembull për të gjithë sistemin,” tha Gravina.

“Falënderoj Giorgio Chiellini, shokët e tij të skuadrës dhe Maurizio Sarri”.

“Uniteti dhe solidariteti në botën e futbollit përfaqësojnë përgjigjen e parë të shkëlqyeshme për urgjencën që po përjetojmë, dhe që rrezikon të bëhet edhe më serioze nëse nuk rifillojmë të luajmë së shpejti”.

“Vetëm përmes kontributit të të gjithë protagonistëve, secili prej tyre duke luajtur rolin e vet, ne do ta bëjmë futbollin më të fortë”, përfundoi presidenti i federatës italiane të futbollit.

-->