Presidenti i Feronikelit: 90% të gjyqtarëve të Superligës janë njerëz të shitur së bashku me FFK-në

Feronikeli fitoi në sekondat e fundit ndaj Vushtrrisë në ndeshjen që u zhvillua sot në “Ferki Aliu”. Kampioni në fuqi fitoi në udhëtim me rezultat minimal 0:1 me golin e Besmir Bojkut.
Në këtë ndeshje ishin disa raste kontestuese dhe presidenti i klubit nga Drenasi, Naser Ramaj ka reaguar, duke deklaruar se 90 për qind e gjyqtarëve janë të shitur, shkruan Insporti.com.
“Një gol na u është anuluar dhe një penallti nuk është akorduar. Dëmet më të mëdha neve po na vijnë sivjet nga gjyqtarëve e Superligës, ku fajin kryesor e ka Federata e Futbollit të Kosovës, e cila po bën pazare me djersën e huaj. Kjo është ndeshja e tretë që dëmtohet ekipi i Feronikelit , por nuk jemi te vetmit. Të gjitha klubet e kanë të njëjtin problem. Gjyqtarët në Kosovë që dëmtojnë ekipet dënohen me nga një ndeshje mos-referim, por marrin pare të majme për ato gabime tendencioze. 90% të gjyqtarëve të Superligës janë njerëz të shitur së bashku me Federatën që e bënë përzgjedhjen e tyre.”, ka deklaruar Ramaj për gazetën “Blic”, transmeton Insporti.com.
Rasti më i mirë në ndeshje ishte në minutën e 28-të, kur Astrit Fazliu gjuajti brenda zonës por e qëlloi tërthorësen.
Futbollistët e ‘Niklit’ më pas protestuan se topi e kishte kaluar vijën fatale.
Rasti në ndeshjen Vushtrria – Feronikeli
FC Vushtrria – KF. Feronikeli, a e kaloi vijën ky top?
Gepostet von Insporti am Dienstag, 22. Oktober 2019
Ai pohon se është shumë i zhgënjyer me ecurinë e sportit kosovar dhe thotë se investitorët më të mëdhenj po e humbin durimin..
“Deri kur kështu? Jam shumë i zhgënjyer me ecurinë e sportit në Kosovë. Gjithë investitorët po e humbin durimin. Unë bëjë 600 kilometra të vi ta shoh një ndeshje – e kur përfundon takimi kthehesh i dëshpëruar, sepse një gjyqtar ta shet lojën për 3000€ ose 5000€ . Ky është futbolli i Kosovës. Në këtë situatë na ka sjellë Federata e Futbollit të Kosovës e cila po mbikqyrë Supërligen, si dhe komisionet dhe ato të monitorimit të ndeshjeve”.
Feronikeli me këtë fitore renditet në pozitën e pestë me 19 pikë pas 11 xhiro të zhvilluara. Ndërsa, Vushtrria mbetet në pozitën e fundit me vetëm gjashtë pikë të grumbulluara. /Insporti.com/