Presidenti i Feronikelit: FFK dërgon gjyqtarë të shitur, janë turpi i futbollit në krye me Agim Ademin

Futboll 25 Nëntor 2020 12:36

Naser Ramaj, presidenti i Feronikelit ka shpërthyer në akuza për gjyqtarët, dhe për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), në krye me presidentin e saj, Agim Ademi.

Akuzat nga Drenasi vijnë pas derbit të së martës ndërmjet Dritës dhe Feronikelit, i cili ka përfunduar baras, 1:1, por që “Nikli” u dëmtua rëndë nga gjyqtarët.

Kjo nuk është hera e parë që ankesat në referim kanë të bëjnë në ndeshjet e Dritës, të cilën klubet tjera qe një kohë të gjatë po e shohin si të favorizuar nga FFK-ja për interesa personale të prijësve të shtëpisë së futbollit.

“Nuk është hera e parë dhe nuk është vetëm klubi i Feronikelit që dëmtohet nga gjyqtarë që favorizohen nga FFK, me në krye, Agim Ademin. Kjo është e tepërt, është e turpshme dhe jashtëzakonisht e dëmshme për futbollin e Kosovës. Përveç ankesës në FFK, Feronikeli do të dërgojë ankesë edhe në UEFA, ashtu siç dorëzuam ankesën për KFF Feronikeli”, thuhet në njoftimin e klubit bardh e gjelbër, i cili ishte duke avancuar dje me rezultat 0:1, por në fund Drita ia nxori një barazim.

“Nikli” kujton se iu anulua një gol i pastër, u dëmtua në një penallti dhe për faktin që një lojtar iu përjashtua me karton të kuq.

Investitori i madh i këtij klubi, Naser Ramaj, gishtin e drejton pikërisht kah shtëpia e futbollit.

“Kjo ndeshje ishte fitore e Feronikelit, me dy gola të dëmtuar, turpi i shkon FFK-së sepse ata janë përgjegjësit kryesorë për këta referë të shitur. Ne jemi vazhdimisht të dëmtuar. Po shihet hapur se federata po i favorizon ekipet e Gjilanit. Nëse në këtë ndeshje nuk kishte tendenca, ne nuk e njohim futbollin. Përgjegjëse e drejtpërdrejt është FFK-ja ose ndryshe mund ta quajmë turpi i futbollit të Kosovës”, ka shkruar Ramaj në “Facebook”.

-->