Presidenti i Feronikelit, Naser Ramaj në darkë me kriminelin shqiptar

Futboll 21 Janar 2021 23:55

Presidenti i Feronikelit, Naser Ramaj është parë në shoqërinë e biznismenit shqiptar, Fatmir Kajolli nga Shqipëria. Së bashku me ta në këtë fotografi shihet edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, një mik i madh i Ramajt dhe babai i kapitenit të “Niklit”, Lapidar Lladrovcit, shkruan Insporti.com.

Ramaj sipas kësaj fotografie të publikuar në rrjetin social Facebook, Ramiz Lladrovci shihet duke darkuar me Fatmir Kajollin.

Kajolli është i dënuar nga gjykatat italiane në lidhje me trafikun e narkotikëve.

Fatmir Kajolli

Klubin e Feronikelit e mori në pronësi në vitin 2018, duke investuar fuqishëm. Nën drejtimin e tij, Feronikeli ka fituar një titull të kampionit dhe një herë Kupën e Kosovës dhe Superkupën.

Ramaj është ndër bizinismenët më të pasur në Kosovë. Pasuria e tij besohet të jetë rreth 80 milionë euro.

Më poshtë historia e Kajollit:

Fatmir Kajolli është një ndër personazhet e shumtë që bëri sukses si biznesmen në Shqipëri, ndonëse ishte i dënuar prej vitit 2000 me 6 vjet burg nga Gjykata e Romës [dënimi i reduktuar në shkallën e dytë] dhe 16 vjet të tjera nga Gjykata e Milanos për vepra penale që lidhen me trafikun e narkotikëve. Në vitin 2011, ai u katapultua gjithashtu në politikën lokale dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Fierit nën siglën e Partisë Republikane.

Kajolli u arrestua në maj të vitit 2016, pasi i shpëtoi një kërkese të mëparshme për ekstradim në Itali në vitin 2012-kur ishte ende anëtar i Këshillit Bashkiak të Fierit. Pas rrëzimit të kërkesës italiane për konvertimin e dënimit të tij me 22 vjet burg në Shqipëri, Kajolli u dënua fillimisht me 8 vjet, të cilat u reduktuan në Apel me 5 vjet dhe vuajti fizikisht në qeli vetëm dy vjet burg.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se liria e parakoshme e Kajollit erdhi pas 19 kërkesash penale, shtatë prej të cilave për përfitim amnistie; të cilat u mirëpritën nga Gjykata e Fierit në pjesën e tyre më të madhe.

Në maj 2018,  edhe Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë vendosi të lirojë nga sekuestrimi pjesën më të madhe të pasurive të sekuestruara në tetor 2015, me argumentin se burimi i tyre nuk ishin aktivitetet e Kajollit në Itali por një seri kontratash dhurimi nga pronarë të ligjshëm-duke e vulosur kësisoj përballjen e Fatmir Kajollit me drejtësinë shqiptare.

-->