Presidenti i Vushtrrisë: Ka ikur koha e menaxhimit jo profesional, KF Vushtrria do jetë klub i sukseshëm

Futboll 02 Shtator 2019 15:28

Sot gjatë ditës KF Vushtrria shkarkoi trajnerin Bekim Shotani pas vetëm tre javë të zhvilluara të IPKO Superligës së Kosovës, shkruan Insporti.com.

Vushtrria nën udhëheqjen e Shotanit pas tri javës renditet në pozitën e fundit në tabelë me vetëm një pikë.

Ish kampioni i Kosovës përmes një statusi në faqen zyrtare në Facebook njoftuan se kanë ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Shotani.

Insporti kontaktoi me trajnerin Shotani, i cili shprehi mllefin e tij ndaj kryesisë së klubit duke i quajtur jo profesional dhe se nuk e njohin futbollin aspak.

“Unë nuk kam dhënë dorëheqje. Kryetari i klubit më ka shkarkuar dhe nuk kam pasur tjetër zgjidhje. Kryetari i Vushtrrisë nuk e njeh futbollin, njerëzit që janë afër tij e kanë bindur dhe kjo tregon se jo profesionalizimin e tyre”, ka thënë Shotani për Insporti.com.

Redaksia e Insportit ka kontaktuar edhe me presidentin e klubit, Bajrush Kajtazi i cili ka deklaruar se në klubin e tij do të ketë reforma të mëdha dhe nën udhëheqjen e tij do të jetë një ndër klubet më të suskseshme në ligë.

“FC Vushtrria e kam marr vetëm disa ditë para se të nis Superliga, shumica e marrëveshjeve, përforcimeve kanë qenë përfunduara para se ta marr klubin. Nga momenti që kam marr klubin i kam njoftuar të gjithë për planet e mija, afatshkurta, afatmesme dhe afatgjatë. Deri dje nuk kam ndërhy asnjëherë në klub, por të gjithë kanë që të vetëdijshëm dhe informuar për reformat që do t’i sjellim në klub”, ka deklarauar fillimisht Kajtazi.

Kajtazi ka shtuar se tashmë menaxhimi jo profesional në klub ka përfunduar dhe se do të veprojë aty ku duhet.

“FC Vushtrria ka synime të mëdha dhe mentaliteti lokalist dhe menaxhimi jo profesional tashmë kanë përfunduar. Klubin do ta bëjmë më të madh më të sukses vetëm duke e menaxhuar mirë dhe jo duke mos ndërhy kur shohim se gabimet e njëjta po përsëriten vazhdimisht. Ky është vetëm fillimi i reformave të thella në klub me të vetmin qëllim, arritjen e sukseseve për klubin tonë të zemrës. Ne kemi bërë përforcime ndoshta më së shumti në Superligë por që ende nuk kemi marr rezultatin që presim. Unë pas vetës kam një ekip profesionistësh të fushave të ndryshme, analistë vendas e të huaj me të cilët kemi analizuar dhe identifikuar çdo problem sikur në anën sportive ashtu edhe në atë organizative. Tashmë kemi nxjerr edhe planin e veprimit për ndryshime, investime dhe edukim të stafit”, shtoi ai.

Në fund, ai ka deklaruar se do të investojnë në shkollën e futbollit në mënyrë që të nga kjo shkollë të del një tjetër “Milot Rashica”.

“Do t’i kushtojmë rëndësi të madhe akademisë tonë të futbollit ku do të nxjerrim talent të tjerë sikur Milot Rashica. Klubi gjithashtu ka nisur edhe me rregullimin e stadiumit dhe presim që në kohë rekorde t’i japim një pamje krejt tjetër që do ta zbukuroj edhe më shumë qytetin e Vushtrrisë” ka përfunduar ai.

Kujtojmë se KF Vushtrria është bërë me pronar të ri pas largimit të Naser Imeri pak ditë para fillimit të kampionatit.Tashmë, pronar i ish kampionit të Kosovës është Bajrush Kajtazi. Kajtazi është një biznismen i njohur i cili zotëron kompaninë “Union SHPK”

-->