Presidenti i ndjerë i Santos, kishte akuzuar përmes një letre babain e Neymar

Futboll 07 Maj 2018 09:31

U përfol e madje edhe u hetua transferimi asokohe i Neymar për te Barcelona në vitin 2013, për mos paraqitje të shumës së saktë të këtij transferimi.

Ndërsa së fundmi, zbulohet se presidenti i ndjerë i klubit brazilian Santos, Luis Alvaro de Oliveira Ribeiro, i cili kishte ndërruar jetë në gusht të vitit 2016, pak para kësaj date, kishte lënë një letër, në të cilën sqaronte disa gjëra për transferimin e Neymar te Barcelona, me ç’rast e akuzon babain e sulmuesit brazilian se kishte vepruar ende pa u finalizuar transferimi.

Në letër thuhej se, klubi dhe vet presidenti, nuk kishin asnjë informacion, se babai i Neymar kishte marrë nga Barcelona një shumë prej 10 milionë euro, si lloj garancie që transferimi të përfundonte në afatin kalimtar, por e gjitha kjo kishte ndodhur para përfundimit të Kupës Botërore për Klube në Japoni.

Asokohe, rreth një vit pas kalimit të tij tek Barça, u raportua se Naymar kishte marrë shumën prej 10 milionë euro, pikërisht para finales së Kupës së Botës për Klube që po mbahej në Japoni dhe ku në atë finale do të takoheshin pikërisht Barcelona kundër Santos, klub në të cilin Neymar edhe më tutje luante.

“Santos e kishte luajtur atë ndeshje të finales me një lojtarë në radhët e saj, që kishte marrë një shumë të konsiderueshme parash nga ekipi kundërshtarë, gjë që ndikoi në paraqitjen e Neymar dhe gjithë lojën e tij në pjesën e mbetur të ndeshjeve që i kishte me Santos, deri kur u transferua edhe zyrtarisht te Barcelona”, thuhej ndër të tjera në letrën e presidentit të ndjerë të Santos, Luis Alvaro de Oliveira Ribeiro.

Besohet se shuma për të cilën Neymar u transferua te Barcelona, ishte 88.2 milionë euro, mirëpo asnjëherë nuk është bërë e ditur saktësisht se sa para kishte paguar Barça për sulmuesin brazilian.

Verën e kaluar, Neymar përsëri u bë pjesë e ballinave, kur nënshkroi për një shifër rekord në histori të futbollit, prej 222 milionë euro, për skuadrën franceze Paris Saint-Germain. /Insporti.com

-->