Prishtina 3:0 Flamurtari, flasin trajnerët Josa e Thaqi

Futboll 27 Mars 2019 16:10

Prishtina e ka mposhtur 3:0 rivalin Flamurtarin në derbin e kryeqytetit të luajtur sot në “Fadil Vokrri”.

Prishtina e fitoi ndeshjen falë dy golave të Meriton Korenicës dhe një gol të shënuar nga Mario Morina, transmeton Insporti

Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, ka thënë se ekipi i tij e kontrolli tërësisht këtë ndeshje.

“Kontrolluam lojën dhe fituam lojën, nuk kemi çka të diskutojmë më tepër, paraqitje e bukur”, tha Josa pas ndeshjes për SuperSport Kosovën.

“Mundësi na dha fakti që zhbllokuam rezultatin shpejtë, goli i dytë na dha më tepër siguri, pastaj u zhvillua lojë ku edhe Flamurtari ishte skuadër që në zonën apo gjysmëfushën tonë nuk krijoi”, tha Josa.

“Kjo edhe për përkujdesin që patëm ne, sepse nga fundi i pjesës së parë u krijuan disa raste kur ne kishim vetë topin tonë. Në përgjithësi jam i kënaqur, kampionati vazhdon, tash kemi ndeshje shumë të ngjeshura, dhe do të shikojmë si do të bëhet rikuperimi i skuadrës”, tha Josa.

Ndërkaq, trajneri i Flamurtarit, Arsim Thaqi, pranoi se Prishtina ka qenë më e fortë.

“Aty ku Pristhina ka qenë më e fortë ne kemi pasur mungesa, ato u vërejtën. Pjesa më e fortë e Prishtinës kanë qenë të dy krahët, aty ku kemi pasur vështirësi”, tha Thaqi.

“Sido që të jetë, Prishtina është ekip shumë më cilësor se ai i Flamurtarit”, tha trajneri i Flamurtarit.

Fitorja e Prishtinës ka bërë që ekipi bardhekaltër tani të ngjitet në pozitën e dytë pas 23 xhirove, me 50 pikë.

Flamurtari me 28 pikë mban pozitën e nëntë. /Insporti.com/

-->