Prishtina e rikthen titullin në kryeqytet

Superliga 10 Maj 2019 23:11

 

Z Mobile Prishtina është kampione e Kosovës në basketboll, duke e rikthyer titullin në kryeqytet, pasi vitin e kaluar këtë sukses e arriti Bashkimi.

Prishtina në finale të play-off-it ishte më e mirë se Rahoveci, duke e mundur me 3:1 në serinë finale.

Në ndeshjen e katërt, që u zhvillua sonte në Rahovec, prishtinasit fituan me rezultat 104:75.

Dardan Berisha me 37 dhe Ahmed Bashir me 25 pikë ishin më efikasit te Z Mobile Prishtina.

Ndërsa, te Rahoveci u dalluan Fredrik Ricardson e George Washington me nga 15 pikë të shënuara.

Mirëpo, përfundimi i kampionatit ishte ashtu siç nuk e dëshiron askush, pasi 11 minutat e fundit të ndeshjes u zhvilluan pa praninë e shikuesve.

Pas një përleshjeje ndërmjet kapitenit të Prishtinës Edmond Azemi dhe basketbollistit të Rahovecit, Deshon Minis, u krijuan skena që nuk i duhen basketbollit dhe sportit kosovar.

Hedhje të gjësendeve në fushë dhe hyrje të një numri të shikuesve brenda vijave të parketit bënë që gjyqtarët të marrin vendim për zbrazjen e palestrës, ndërsa vazhdimi ishte i zymtë.

Prishtina ka dominuar gjatë gjithë kampionatit dhe të vetmen humbje ia shkaktoi pikërisht Rahoveci, në ndeshjen e dytë të serisë finale.

Prishtina edicionin e ka mbyllur me kurorën e dyfishtë, pasi më herët e ka fituar edhe Kupën e Kosovës, ndërsa pati paraqitje shumë të mirë edhe në FIBA Europe Cup.