Prishtina me aksionar të ri, presidenti Ejupi nuk është në dijeni

Në klubin më të madh në Kosovë, KF Prishtina është krijuar një situatë e re, për të cilën nuk është në dijeni numri një i klubit, Remzi Ejupi. Ditë më parë në rrjete sociale ka qarkulluar lajmi se Afrim Muçiqi ia ka kaluar aksionet e tij Xhemail Sekiraqës, shkruan Insporti.com.
Arbnor Luta
Presidenti Ejupi në një prononcim për Insportin ka deklaruar se ndodhet në Gjermani dhe se nuk është në dijeni fare për këtë zhvillim. Sipas tij, Prishtina mirëpret çdo investitorë që dëshiron ta ndihmojë klubin por për këtë rast nuk ka asnjë informacion. “Jam në Gjermani, nuk jam në dijeni, po e dëgjoj nga ju për herë të parë. Megjithatë, unë si president mirëpresë çdo investitorë që dëshiron të ndihmojë klubin. Ndërsa për aksionet e Afrimit, pyeteni atë, nuk jam avokati i tij”.

Ndonëse presidenti Ejupi nuk është në dijeni, edhe pse kanë kaluar disa ditë nga publikimi i dokumentit zyrtar në të cilin shihet vula e Prishtinës dhe nënshkrimi i Muçiqit, i cili tashmë ish aksionar sipas këtij dokumenti që është publikuar nga Albert Kastrati.
Njoftimi për këtë ndryshim është bërë nga ish lideri i tifo grupit “Plisat” Albert Kastrati.
Kastrati në rrjetin e tij social Facebook ka shkruar se më në fund në Prishtinë vjen dikush që e do klubin.
“Ma në fund vjen një njeri që e don Prishtinën, të priftë e mbara shoku e kojshia jem Xhemail Sekiraqa”, ka shkruar ai.
Insportin merr vesh se Muçiqi ka pasur 4.13 aksione, vlera e tyre 61,100.00 mijë euro, të cilat tashmë i takojnë Xhemail Sekiraqës.

Redaksia e Insportit ka tentuar të kontaktojë me Muçiqin, por ky i fundit nuk ka pranuar të prononcohet.
Ejupi së bashku me aksionarin tjetër të klubit, Rrahman Haradini janë duke tentuar që të blejnë aksionet e të tjerëve dhe të kontrollojnë klubin duke ndarë në gjysmë aksionet, pra 50-50.
Kujtojmë muaj më parë Ejupi dhe Haradini janë konfrontuar se cili posedon më shumë aksione, por që tani duket se i kanë kaluar mosmarrëveshjet që kanë pasur.

Sipas ARKB-së (Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare), Rrahman Haradini posedon 34.8 për qind, që kapin vlerën 515,220.00 mijë euro, ndërsa i dyti është Remzi Ejupi me 16.6 përqind, që vlera e tyre është 245,740.00 mijë euro. /Insporti.com/