Prishtina me mungesa ndaj Vushtrrisë

Futboll 07 Shkurt 2020 20:00

FC Prishtina do të nis stinorin pranveror të kampionatit përballë FC Vushtrrisë, skuadër me të cilën fillimisht do të përballet në çerekfinalen e DigitAlb Kupës së Kosovës dhe më pas në kuadër të javës së 18-të të Superligës.

Klubi kryeqytetas ka përfunduar të gjitha përgatitjet në prag të ndeshjes së çerekfinales ndaj Vushtrrisë, ndërkohë që ka konfirmuar mungesën e vetme për këtë duel.

Mesfushori Ardit Hila nuk do të jetë i gatshëm për këtë sfidë, pasi që ende ndodhet në proces të rikuperimit, njofton faqja zyrtare e klubit kryeqytetas.

Në çerekfinale zhvillohet vetëm një duel eliminues dhe në rast të 90-minutave pa fitues, zhvillohen shtesat dhe eventualisht penalltitë.

Prishtina në ndeshjen e nesërme do të provoj të kualifikohet për herë të 9-të pas luftës në gjysmëfinale të Kupës.

Prishtina dhe Vushtrria këtë edicion janë takuar vetëm njëherë, në Vushtrri, në javën e shtatë ku kryeqytetasit kishin triumfuar 3:0.

Ndërsa vushtrriasit në “Fadil Vokrri” udhëtojnë pas katër vite e gjysmë, prej vjeshtës së vitit 2015 kur Prishtina kishte triumfuar me golin e Shend Kelmendit.

Kurse nga 15 udhëtimet zyrtare në kryeqendër, Vushtrria ka 14 humbje dhe 1 barazim pa gola në vjeshtën e vonë të vitit 2014. Kanë shënuar vetëm 4 gola dhe kanë pranuar 23.

-->