Prishtina merr një vendim krejtësisht të papritur

Basketboll 03 Janar 2019 18:21

Z Mobile Prishtina është duke dominuar në kampionatin vendor, ka pasur paraqitje shumë të mira në FIBA Europe Cup dhe pritej që kështu të ishte edhe në Ligën Ballkanike.

Por, përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Liga Ballkanike ka njoftuar se Z Mobile Prishtina është tërhequr nga kjo garë këtë edicion.

“01.01.2019 KB Z Mobile Prishtina i ka dërguar një e-mail zyrtar menaxhmentit të BIBL se menaxhmenti i skuadrës nuk mund të arrijë marrëveshje me Federatën e Basketbollit të Kosovës lidhur me programin e ekipit për të marrë pjesë në ligën lokale, FIBA dhe BIBL, dhe si rezultat i kësaj, nuk mund të marrë pjesë në BIBL”.

“Kjo ishte një befasi për ligën, sepse kishim arritur marrëveshje me menaxhmentin e skuadrës lidhur me programin duke përfshirë javën e ardhshme në Durrës, programi u ndryshua disa herë në bazë të kërkesës së ekipit dhe iu dërgua të gjitha klubeve”.

“Menaxhmenti i Ligës Ballkanike nuk do të mbajë anë apo nuk do të përfshihet në ndonjë konflikt apo mosmarrëveshje ndërmjet klubeve dhe federatave”.

“Puna jonë është që t’u ofrojmë klubeve një garë profesionale dhe të mirë basketbolli, me një bashkëpunim të plotë me federatat dhe klubet”.

“Është vendim i KB Z Mobile Prishtina të tërhiqet nga BIBL dhe ne e pranojmë kërkesën e tyre, me të gjitha pasojat në kuadër të Rregullave Zyrtare të BIBL dhe Rregullave 2018-2019”.

“Menaxhmenti i BIBL i uron shumë fat KB Z Mobile Prishtinës në ligën lokale dhe në garat e FIBA-s”, thuhet në njoftimin e Ligës Ballkanike.