Prishtina mposht Bashkimin, luan në finale ndaj Penzës

Basketboll 04 Tetor 2021 22:58

Prishtina ka mundur Bashkimin me rezultat 73-69 (20:19, 24:16, 13:16, 16:18), duke u kualifikuar në finale të Superkupës së Kosovës në basketboll.

Fillimi i ndeshjes ishte shumë i baraspeshuar, me skuadrën prizrenase që kishte një epërsi të lehtë, megjithatë, çereku i parë përfundon në të mirë të skuadrës prishtinase 20:19.

Periudhën e dytë e nisën shumë më mirë vashat prishtinase, duke pasur epërsi 32:24, dhe kishin epërsi konstante gjatë gjithë kësaj pjese, ndërsa në pushim shkuan me rezultat 44-35.

Basketbollistet e Bashkimit nuk u dorëzuan dhe dalëngadalë ngushtuan shifrat në 50:49, duke e bërë sfidën shumë interesante, por më pas prishtinaset sërish shkëputen, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 57:51.

Vashat nga Prishtina e thelluan epërsinë më shumë në 10 minutat e fundit në 62:51, por më pas rikthehen prizrenaset, për të ngushtuar shifrat në 64:60. Përballje dramatike u zhvillua deri në fund, por Prishtina arriti të triumfojë me rezultat 73-69.

Prishtina në finale do të përballet me Penzën, nesër nga ora 19:00.

Në ndeshjet e basketbollit lejohen 10 % e tifozëve, të cilët duhet të jenë të vaksinuar ose me Test PCR ose Rapid, ose Serologjik.

-->