Prishtina në hall, mungon numri një i portës kundër Dritës

Futboll 12 Korrik 2020 13:10

KF Prishtina sot do ta zhvillojë derbin e radhës në Superligë kundër liderit të tabelës, KF Drita. Për këtë derbi skuadra nga kryeqyteti nuk do të mund të llogarit në shërbimet e portierit Visar Bekaj, pasi ai u ndëshkua me karton të kuq direkt në ndeshjen me Gjilanin, shkruan Insporti.com.

Bekaj u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Kreshnik Vula pas një dueli me Gerhard Prognin e Gjilanit.

Por, Bekaj nuk do të mund paraqitet edhe për një kohë për klubin kryeqytetas. Kjo pasi është futur në procedurë disiplinore nga Komisioni i Garave dhe është pezulluar pa të drejtë loje deri në vendimin përfundimtar të komisionit.

Mungesa e Bekajt do të jetë një problem i madh për trajnerin Armend Dallku, pasi reprezentuesi i Kosovës është ndër pikat kryesore të skuadrës së tij.

Bekaj, 23 vjeçar, këtë sezon ka zhvilluar 27 ndeshje në Superligë duke mos pranuar gol në 16 ndeshje dhe ka vetëm 15 gola të pranuara.

Zëvendësuesi i tij pritet të jetë Eglant Haxho.

Prishtina është nikoqire e Dritës në kuadër të xhiros së 30-të së IPKO Superligës së Kosovës.

Derbi do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim të orës 18:00.

Drita është lidere me 64 pikë pas 29 xhiro të zhvilluara, ndërsa Prishtina në pozitën e katërt me 57 pikë. /Insporti.com/

-->