Prishtina shpërdoroi epërsinë prej 20 pikësh

Basketboll 22 Shtator 2018 21:51

Prishtina nuk ka arritur të kalojë rrethin e parë të kualifikimeve në Ligën e Kampionëve, pasi sonte është mposhtur nga Donar Groningen me shifrat 80:55, ndërkohë që ndeshjen e parë e pati fituar me 20 pikë dallim, 84:64.

Ndryshe nga ndeshja e së enjtes, sonte Z Mobile Prishtina ishte totalisht e paorganizuar dhe vetëm në disa momente e rrezikoi kualifikimin e  Groningenit.

Qysh në fillim u pa qartë se vendësit do të jenë skuadër më e mirë, pasi çerekun e parë e përfunduan me epërsi prej 30:14.

Edhe dhjetëminutëshi i dytë u takoi holandezëve (15:10), ndërsa në të tretin Prishina ishte pak më e mirë dhe këtë pjesë e lojë e fitoi me 18:15, për të hyrë në çerekun e fundit me disavantazh prej 18 pikësh, 42:60.

Megjithatë, vendësit sërish e morën kontrollin e lojës dhe në fund iu gëzuan fitores dhe kualifikimit.

Prishtinës sikur nuk i mjaftoi paraqitja zhgënjyese, por pas përfundimit të pjesës së parë ndodhi edhe një përleshje ndërmjet Dardan Berishës dhe amerikanit Divine Myles.