Prishtina vazhdon sonte misionin ndërkombëtar, përballet me skuadrën nga Letonia

Superliga 06 Nëntor 2019 11:05

KB Prishtina e ka nisur me një fitore dhe me një humbje edicionin e ri në FIBA Europe Cup.

Kampionia e Kosovës në basketboll triumfoi në ndeshjen e parë të edicionit të ri kundër Apoel Nicosias, me rezultat 93:74, në duelin e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.

Kurse në ndeshjen e dytë skuadra kryeqytetase pësoi humbje nga ekipi gjerman Medi Bayreuth me rezultat të ngushtë 97:89.

Tashmë bardhekaltrit janë përgatitur maksimalisht për ndeshjen e tretë të grupit C, ku do të luajnë në Letoni kundër Ventspilsit.

Ventspils – Sigal Prishtina do të zhvillohet sonte, në orën 18:00, në “Olympic Center Ventspils”.

Ndryshe, pas tri ndeshjeve në grupin C të FIBA Europe Cup KB Prishtina renditet në vendin e tretë me tri pikë, me një fitore dhe me një humbje.

Prishtina edicionin e kaluar fitoi titullin në Kosovë, Kupën dhe Superkupën, derisa gjithashtu edicionin e kaluar arriti suksesin më të madh në FIBA Europe Cup, duke arritur në top 16, kurse hera e parë që mori pjesë në këtë garë ishte viti 2015.

Prishtinasit morën pjesë edhe në eliminatoret e Ligës së Kampionëve këtë edicion, por u eliminuan në ndeshjen e parë nga Legia Varshava.

-->