Prishtinës i takon derbi i javës së fundit të stinorit vjeshtor

Superliga 01 Dhjetor 2019 22:47

Prishtinës i ka takuar derbi i javës së fundit të stinorit vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat).

Prishtina të dielën në palestrën “Bill Clinton” e ka mundur Ferizajn vendas me rezultat 30:27, në kuadër të javës së nëntë.

Për Ferizajn që për herë të parë luan në Superligë, ishte humbja e parë pas tetë fitoreve rresht, por kjo humbje e ka larguar nga pozita e parë.

Stinorin vjeshtor në vend të parë e përfundon Istogu me 16 pikë, sa i ka edhe Ferizaj në vend të dytë. Istogu ka për pak goldallim më të mirë se Ferizaj. Vushtrria renditet e treta me 14 pikë, sa i ka edhe Prishtina në vend të katërt. Në mes këtyre katër skuadrave pritet garë e fortë dhe interesante në stinorin pranveror.

Ndeshja në Ferizaj ishte interesante. Prishtina bëri shkëputje të lehtë në fillim (4:1) e më pas rriti epërsinë (9:4). Epërsia e Prishtinës shkoi deri në 7 gola (14:7), por lojtaret me përvojë të Ferizajt u afruan në fund të pjesës së parë në tri gola (16:13).

Më pas ferizajaset në pjesën e dytë edhe barazuan rezultatin (20:20, 21:21) . Barazim tjetër kishte në minutën e 50-të, 25:25, por më pas Prishtina krijoi epërsi që e mbajti deri në fund.

Sh. Mehmeti ishte më e dalluara te Prishtina me 9 gola. Nga 5 i shënuan M. Ipqi e M. Sefedini. Te Ferizaj më efikasja ishte M. Koneski me 10 gola.

-->