Priten përsëri trazira nga ultrasit e Romës – Policia italiane e shqetësuar për tifozët e Liverpool

Futboll 02 Maj 2018 10:38

Në ndeshjen e parë gjysmëfinale Liverpool – Roma, në kuadër të Champions League, e cila u zhvillua javën e kaluar në “Anfield”, para fillimit të ndeshjes tifozët ultras të Romës u ndeshen me ata të Liverpool, në një përleshje ku më së shumti pësuan përkrahësit vendas.

Madje pati edhe një person të lënduar rëndë, si irlandezi 53 vjeçar, Sean Cox, i cili ishte goditur me çekiç dhe gjësende tjera të forta nga ultrasit romak dhe ende është në gjendje të rëndë.

Duke u solidarizuar me të, futbollistët e Romës, të cilët e kishin dënuar aktin e huliganëve italian, gjatë stërvitjes së fundit para ndeshjes së dytë kundër Liverpool, veshën fanella me mbishkrimin “Forza Sean”, në përkrahje të Sean Cox.

Për këtë arsye, në ndeshjen kthyese që zhvillohet sonte në “Olimpico”, policia italiane është duke u munduar të merr masa shtesë sigurie për tifozët e Liverpool, që udhëtojnë për të përcjell takimin, pasi pritet se do të ketë trazira përsëri nga ultrasit e skuadrës Roma.

Në stadiumin “Olimpico” pritet se do të jenë të pranishëm rreth 5000 tifozë të Liverpool dhe policia italiane ka vendosur që pas përfundimit të ndeshjes, ata t’i mbajë në stadium deri në orën 1 pas mesnate, në mënyrë që të evitojë ndonjë konfrontim me huliganët e ekipit të Romës.

Roma hyn në këtë ndeshje me rezultat negativ nga takimi i parë, në të cilin Liverpool trimunfoi 5-2, por futbollistët e ekipit italian besojnë se mund ta përsërisin përmbysjen e rezultatit, siç e bënë në ndeshjen e dytë çerekfinale me Barcelonën.

Përndryshe, skuadra e cila avancon sonte, do të ndeshet me skuadrën e Real Madrid në finalen e Champions League, e cila këtë vit mbahet në Kiev më 26 maj. /Insporti.com

 

-->