“Profa” në stilin e vjetër, paralajmëroi takimin e krizës – flet drejtori ekzekutiv i Gjilanit

Futboll 22 Shkurt 2021 12:49

SC Gjilani të dielën pësoi humbje në derbi nga Llapi në udhëtim me rezultat 3:1. Trajneri i Gjilanit, Bylbyl Sokoli në emisionin sportiv në Radio Televizionin e Dukagjinit “Dueli Sportiv” deklaroi se sot (e hënë) do të zhvillohet takimi me kryesinë e klubit, shkruan Insporti.com.

Sokoli në rolin e analistit, ani pse mban postin e trajnerit të Gjilanit kritikoi futbollistët e tij për mos disiplinë taktike në ndeshjen me Llapit, duke thënë se kjo nuk është dashur të ndodhë për shkak të përvojës së tyre.

“Këtu po i vjen era pakënqësi time ndaj mënyrës së lojës që e bëjnë futbollistët të cilët kanë shumë përvojë, të cilët kanë shumë potencial dhe në kësi rrethana. Unë si trajner me përvojë, nuk më ka ndodhur asnjëherë si kjo që më ndodhi ndaj Llapit, pra këtu unë e marrë përgjegjësinë dhe të hënën (sot) do të dihet gjithçka pas takimit”, deklaroi Sokoli mbrëmë në “Duelin Sportiv”.

Insporti ka kontatkuar me drejtorin e Gjilanit, Sevdail Robelli, i cili ka konfirmuar mbështetjen e kryesisë ndaj trajnerit Sokoli.

“Do të jetë vetëm një takim rutinor për të analizuar gjërat që janë duke ndodhur në ndeshje dhe pas ndeshjeve në klubin tonë. Nuk ka diçka të jashtëzakonshme, presidenti Florim Zuka është jashtë vendi, kur të kthehet ai do të ulemi për të biseduar”.

Sevdail Robelli, drejtor ekzekutiv i SC Gjilanit

Gjilani në pesë ndeshjet e fundit në Superligë ka tri humbje, një fitore dhe një barazim.

“Skifterat” stinorin pranveror e ka nisur në formë të dobët, pasi janë eliminuar edhe nga Kupa e Kosovës nga klubi i Ligës së Parë, KF Istogu. /Insporti.com/

-->