Profili i kampionit

Futboll 20 Maj 2018 18:44

Klubi i Futbollit Drita është kampion i Kosovës në futboll. Titullin ky ekip e siguri në xhiron e fundit, pas takimit me kundërshtarin direkt – Prishtinën, gjë që ka pasur efekt të dyfishtë.

Fillimisht ka legjitimuar ekipin gjilanas si ekipin më të mirë të këtij sezoni, meqë edhe në duele direkte, edhe në numër të pikëve është ekip më i mirë se Prishtina.

Efekti i dytë, kuptohet që është interesimi në media dhe në opinion që erdhi si rrjedhojë e rivalitetit ndërmjet këtyre dy ekipeve dhe gjithçkaje tjetër që kishte të bënte me këtë ndeshje.

Drita është kampion, është e konfirmuar se do të garojë në para kualifikime për Ligën e Kampionëve dhe ky është momenti kulmor në historinë e këtij klubi, që nis para më shumë se 70 vjetëve.

Në faqen zyrtare të klubit thuhet se “KF “DRITA” u themelua nga esnafët, ustallarët dhe qytetarët e vjetër të qytetit. Futbollistët e parë të klubit stërviteshin në rrethana të jashtëzakonshme dhe në kushte të vështira, pa ushqim; me bukë e pa bukë, vetëm e vetëm për të arritur sukses. Ata dëshmuan talentin e tyre me vullnetin e pathyeshëm të tyre.

Që në fillim ishte halë në sytë e pushtetit komunist, sepse e rivalizonte ekipin tjetër të qytetit, të preferuarën e tyre, “Crvena Zvezda”-n, dhe sepse themeluesit e futbollistët ishin vetëm shqiptarë dhe mbante një emër shqip që tregonte se populli i këtij qyteti don “DRITË”.

Andaj, më 1952 ekipi shuhet nga regjimi. Ish-futbollistët kaluan tek skuadra tanimë multietnike e Zvezdës.

Pas viteve ’90 Drita u morr në menaxhim nga Selami Osmani – BEZI, me të cilin për 15 vjet arriti majat e futbollit kosovar, duke u shndërruar në ankthin e të gjitha skuadrave kosovare, falë lojtarëve që sillte në Gjilan, legjenda e qytetit, BEZI, i cili për 15 vite kontribuoi me tërë qenien e vet për Dritën.

Selami Osmani – Bezi

Nën menaxhimin e tij Drita arriti të stolisej me titullin e kampionit të Kosovës më 2002-03, të fitojë kupën më 2000-01 dhe të ishte nën kampion më 1999-00 dhe 2001-02.

Drita arriti edhe deri në gjysmëfinale më 1999-00, 2001-02 dhe 2002-03. duke thyer rekord kosovar që për katër vite radhazi nuk zbritën më poshtë se pozita e tretë dhe për katër vite arritën së paku deri në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës”.

Mirëpo, që nga sezoni 2003, kur u shpall kampion, ekipi i Dirtës asnjëherë nuk ka qenë ndër pesë ekipet më të mira të Superligës së Kosovës, madje ka pasur edhe rënie nga Superliga dhe ka garuar në Ligën e Parë.

Ishte evidente se tërheqja e Bezit kishte sakatuar klubin dhe iu nevojitën vite deris atë vijë kryesia aktuale, që Drita të mëtojë sërish të ngjitet në majat e futbollit kosovar.

Ky klub pas 15 vjetëve feston titullin e kampionit dhe për herë të parë do të marrë pjesë edhe në gara evropiane.

Përndryshe Drita sivjet sezonin e kryen me 18 fitore 13 barazime dhe 2 humbje dhe nga xhiroja e 4-t deri në 33-tën nuk ka pësuar humbje, shifër që paraqet rekord në Superligën e Kosovës dhe konfirmon statusin e ekipit më të mirë./Insporti.com

-->