Projekti i mini-botërorit të FIFA-s

Futboll 03 Maj 2018 12:35

Shtëpia e futbollit botëror FIFA, është duke e menduar dhe studiuar opsionin e krijimit të një kampionati, që mund të llogaritej si një lloj mini-botërori, ku do të merrnin pjesë tetë përfaqësuese.

Sipas” L’Equipe”, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është duke u munduar të shtyjë këtë aktivitet, edhe pse për momentin nuk janë bërë ende të qarta detajet e projektit, por sipas zërave që qarkullojnë, ai mund të bëhet shumë shpejt realitet dhe të nisë prej vitit 2021.

Do të ishte një turne i ngjashëm me Ligën e Kombeve dhe që në një farë mënyre mund të ndërthuret me kompeticionin e krijuar nga UEFA.

Në këtë kampionat shtesë do të kishte më tepër ndeshje, sponsorë dhe të ardhura. Në këtë mënyrë FIFA kërkon të shtojë spektaklin dhe përfitimet, nëpërmjet krijimit të “Final 8”, me turneun që pritet të luhet në periudhën tetor-nëntor.

Gjithmonë sipas raportimeve të “L’Equipe”, një grup investitorësh janë të gatshëm të paguajnë 25 miliardë dollarë, për të siguruar të drejtat e turneut për 12 vitet në vazhdim.

Në rast se projekti do të konkretizohet, rrezikohet që të zhduket Kupa e Konfederatave, që zhvillohet çdo katër vjet, 12 muaj përpara startit të Kupës së Botës. /Insporti.com

-->