Protesta para ndërtesës së FFK-së për logon e re

Gjatë ditës së djeshme ishte paralajmëruar një protestë për sot, ku ata që e ftuan protestën përmes Facebook, po shfaqin pakënaqësinë e tyre me logon e re të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Personat që protestuan para ndërtesës së FFK-së kanë vendosur një baner me parullën “O dhondërr, u bonëm horë….”, për shkak se fituesi i konkursit për logon e re të FFK-së, ishte dhëndri i Drejtoreshës së Marketingut në FFK, Diturie Hoxha.
Para protestuesve kanë folur Eroll Salihu (Sekretar i përgjithshëm i FFk-së) dhe Agim Ademi (Nënkryetar i FFK-së). Ata para mediave kanë deklaruar arsyet dhe mënyrën se si është zgjedhur logoja, me ç’rast grupi i protestuesve nuk u pajtua me atë çfarë deklaruan dy zyrtarët e Federatës.
Më pas krerët e FFK-së, e kanë ftuar grupin e protestuesve brenda selisë për diskutim, ndërsa mediat nuk janë lejuar të hyjnë.
Logoja është kundërshtuar nga tifozë dhe dizajner të shumtë, duke e quajtur jo estetike dhe të padenjë për ta përfaqësuar futbollin kosovar.
FFK ka njoftuar se logoja nuk mund të ndryshohet, pasi tashmë është dërguar në zyrat e UEFA-s. /Insporti.com