Provokon Kryetari i Partizanit – do të na prisnin për të na arrestuar

Basketboll 04 Dhjetor 2018 12:51

Kryetari i Klubit të Basketbollit Partizan, ekspedita e të cilit u ndalua për të hyrë në Kosovë, para pak çastesh ka dhënë një deklaratë provokuese, në pikë kalimin kufitar në Jarinje.

Ostoja Mijailovic, i cili është edhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga partia e Aleksandar Vucicit, në intervistën dhënë gazetarit Vladan Tegeltija, ndër të tjera ka thënë se Policia e Kosovës i ka pritur “e gatshme” që ti arrestojë basketbollistët, përcjell Insporti.

“Policia që ka qenë shef i ndërrimit na ka njoftuar se ka mbërri ndalesa për hyrjen tonë në Kosovë dhe ai nuk ka nevojë të na japë neve arsyetime meqë ministri i tij është në Prishtinë, e jo në Beograd. Meqë nuk e kemi lajmëruar vizitën tonë, me çuditë që ata nuk na kanë “këshilluar” që të kalojmë kah malet dhe më pas në mal, besoj policia e tyre  do të na kishte vënë pritën dhe do të na kishte arrestuar, njëjtë siç kanë vepruar me Marko Djuricin”, ka deklaruar Mijailovic, transmeton Insporti.

Ai më tej ka thënë se populli serb në veri të Kosovës jeton në kushte shumë të rënda dhe mesazhe të ngjashme, kurse në stilin e një politikani deklaroi se “është çudi se si shqiptarët duan që të ju hiqen vizat, kurse tash nuk i lejojnë sportistët të hyjnë në Kosovë”.

Insporti më herët kishte raportuar për ndalesën që i është bërë Partizanit për të hyrë në Kosovë dhe reagimin e kreut të FBK-së, Arben Fetahut, rreth këtij incidenti.