Pse do të hetohet ndeshja Egjipt – Uruguai

Futboll 16 Qershor 2018 08:41

Ndeshja e parë e ditës së djeshme Egjipt – Uruguai e grupi A, përfundoi me fitore të latinëve në minutat e fundit të ndeshjes, përmes golit të Gimenez në minutën e 89-të.

Institucioni më i lartë i futbollit FIFA, ka njoftuar se ky takim do të hetohet, jo lidhur me çka ndodhi në fushë, mirëpo në tribuna.

Për të gjithë ata që e kanë shikuar takimin, i cili u zhvillua nga ora 14:00, kanë mundur ta vërejnë se stadiumi “Ekaterinburg Arena” kishte shumë vende të zbrazëta.

Përkundër se bëhet fjalë për njërin nga stadiumet me kapacitetin më të vogël nga gjithsej 12 arenat ku do të zhvillohen ndeshjet e Kampionatit Botëror “Rusia 2018”, rreth 20% e stadiumit në ndeshjen Egjipt – Uruguai, ishte i zbrazët.

Nga 33 mijë e 61 persona që është kapaciteti i plotë i stadiumit të “Ekaterinburg”, në impiant ishin vetëm 27 mijë e 15 spektatorë, pra diçka më shumë se 6.000 mijë vende ishin bosh.

Sipas FIFA-s, në këtë rast ka diçka e cila nuk shkon, pasi thuhet se zyrtarisht ishin shitur të gjitha biletat dhe 6.000 mijë vende ishin bosh. Si rrjedhojë e kësaj, institucioni më i lartë i futbollit do të hapë një hetim për të zbuluar të vërtetën. /Insporti.com

-->