Pse ishte Alex Ferguson në ndeshjen Roma – Barcelona? (Video)

Futboll 11 Prill 2018 10:15

Në ndeshjen e mbrëmshme spektakolare, ku Roma bëri një nga përmbysjet që do të mbahen gjatë mend, në stadiumin “Olimpico” ishte i pranishëm edhe ish-trajneri legjendar i Manchester United, Sir Alex Ferguson.

Kishte habi dhe pikëpyetje, se pse Fergie ishte i pranishëm në këtë përballje, mirëpo pas ndeshjes gjithçka u bë e qartë nga presidenti i Romës, James Pallotta.

Pallotta bëri të ditur se Ferguson kishte qenë i ftuar special i tij për këtë ndeshje dhe skocezi në “Olimpico”, ishte i pranishëm me gruan e tij, Cathy dhe drejtorin ekzekutiv të “Relevant Sports”, Charlie Stillitano, që është nikoqire e Kupës Ndërkombëtare të Kampionëve.

Presidenti James Pallotta, bëri të ditur se e kishte ftuar Sir Alex Ferguson, pasi ai në përvojën e tij prej më shumë se dy dekada e gjysmë me Manchester United, ka përvojë mjaft në përmbysjen e rezultateve dhe është një hajmali e mirë.

“E ftova Sir Alex të jetë i pranishëm për këtë ndeshje, për të na sjell fat dhe ai këtë e bëri”, deklaroi Pallotta për gazetarët pas ndeshjes.

Në një video të postuar në “Twitter”, në tribuna bashkë me drejtuesit e Romës shihet edhe Ferguson, në momentin kur përfundon ndeshja dhe Roma konfirmohet si gjysmëfinaliste e Ligës së Kampionëve.

Përndryshe, përmbysja e rezultatit të mbrëmshëm nga Roma kundër Barcelonës, vjen saktësisht 11 vite pas fitores së famshme prej 7-1 të Man.United ndaj Romës në “Old Trafford” në vitin 2007 të Ligës së Kampionëve. /Insporti.com

 

-->