Pse Mulaomerovic nuk e udhëhoqi Prishtinën në fundjavë?

Superliga 08 Tetor 2018 22:56

Damir Mulaomerovic, mori përsipër udhëheqjen e ekipit të Z Mobile Prishtinës para disa ditësh dhe në fundjavë ka arritur në Kosovë, bën të ditur Insporti.

Selektori i Kosovës dhe një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës së tij në Evropë, megjithatë nuk ka qenë trajner i këtij ekipi në ndeshjen e fundjavës, të zhvilluar me ekipin Borea, ku Z Mobile Prishtina fitoi pa problem 88:60.

Në statistikat zyrtare të ndeshjes, kryetrajner figuron Andin Rashica, një nga ndihmësit e Mulaomerovicit në punën me kombëtaren e Kosovës dhe ndihmës trajner që nga fillimi i këtij sezoni në Z Mobile Prishtinë.

I kontaktuar nga Insporti lidhur me atë që ndodhi në Pejë, Rashica e shpjegoi situatën duke thënë se “ka qenë veprim i koordinuar me kryetrajnerin e ri. Mulaomerovic ka ardhë në Kosovë të shtunën dhe nuk ka dashur menjëherë të dielën të udhëheqë ekipin në ndeshje të Superligës. Kjo është e tëra, ai do ta merr kontrollin mbi ekipin tash e tutje dhe ne tashmë kemi kalendar të ngjeshur të aktiviteteve”.

Statistikat zyrtare të ekipit Z Mobile Prishtina

Rashica po ashtu konfirmoi për Insportin se Z Mobile Prishtina do të zhvillojë një miqësore me Rabotnickin e Shkupit, dhe pas edhe një dueli në ligën e Kosovës që nga mesjava e ardhshme do të fillojë garat në FIBA Europe Cup.

“Po presim kundërshtarin e parë. Do të jetë ose Cherkassy i Ukrainës, ose Keravnos i Qipros. Të dyjat janë ekipe të forta, por jemi të bindur që loja jonë do të jetë më e mirë dukshëm javën e ardhshme”, përfundoi Rashica.

Damir Mulaomerovic, trajner i Z Mobile Prishtinës dhe Kosovës

Z Moblie Prishtina ka luajtur në kualifikime për Ligën e Kampionëve, mirëpo, në xhiron e parë të këtyre garave u eliminua nga ekipi holandez Gronningen.

Në ndeshjen në Holandë, u shkaktua edhe një incident midis lojtarëve të Prishtinës, kurse pas përfundimit të kualifikimeve, u shkarkua trajneri Matthias Zollner, i cili kishte e nisur sezonin në krye të ekipit bardh e kaltër.