Pse po dështon të shënojë Morata ?

Futboll 26 Shkurt 2018 11:48

Në ndeshjen e djeshme që u zhvillua në “Old Trafford”, Manchester United shënoi fitore me rezultat 2-1 kundër skuadrës së Chelsea-t.

Përkundër që ishin “Blutë” e Londrës që kaluan në epërsi të parët, United arriti ta barazonte rezultatin brenda pjesës së parë, e më pastaj shënoi edhe për epërsinë, me ç’rast shënoi fitore të vlefshme që i mban ata në pozitën e dytë në Premier League.

Sulmuesi spanjoll i Chelsea-t, Alvaro Morata e nisi këtë ndeshje nga fillimi, megjithatë për 25 vjeçarin ishte edhe një ndeshje tjetër ku nuk shënoi përkundër që ishte në fushë për 90-të minuta.

Morata i cili në 22 paraqitje me Chelsea-n në Premier League, ka shënuar 10 gola, tash e dhjetë ndeshje nuk po arrin të futet në listën e realizatorëve, duke kaluar kështu momente frustrimi sa i përket golave.

Goli i fundit i sulmuesit spanjoll, ishte ai kundër Brighton & Hove Albion në fund të dhjetorit të 2017-ës dhe ka rreth dy muaj që nuk ka shënuar.

Përpos kësaj, ai disa ndeshje mungoi për shkak të lëndimit dhe kjo bëri që Conte ta shfrytëzonte si sulmues ne vend të tij, belgun Eden Hazard.

Morata dështimin e shënimit e ka në 6 ndeshje të Premier League dhe 4 të tjera në Kupë, që i bie në 575 minuta pa konkretizuar.

Megjithatë sulmuesi spanjoll është një lojtarë të cilit nuk i mungon vetëbesimi dhe po ashtu edhe në ta kaluarën, ka pasur periudha të vështira në shënimin e golave. Më e freskëta është sezoni 2015/16 sa ishte lojtarë në Serie A tek Juventus, ku kishte dështuar të shënonte në plotë 20 ndeshje.

Gjatë kësaj periudhe sa është pjesë e Chelsea-t në Premier League, ka hasur në vështirësi që të akomodohet, megjithëse ka arritur të shënojë 12 gola në 35 paraqitje në të gjitha garat. /Insporti.com

 

-->