Pse vendosi Real Madridi kundër transferimit të Eriksenit

Futboll 29 Janar 2020 20:40

Pasi Interi e transferoi Christian Eriksen për 20 milionë euro, Marca ka tentuar të japë përgjigje në pyetjen se pse Real Madridi e lejoi t’i ikë nga duart lojtari të cilit do t’i përfundonte kontrata në fund të këtij sezoni.

Për mesfushorin danez ishte përfolur për një kalim të mundshëm në Real Madrid gjatë dy vjetëve të fundit dhe ai dukej sikur për të ishte e shkruar ta vishte fanellën e famshme të bardhë.

Avokatët e Eriksenit, që në atë kohë ishte lojtar i Tottenhamit, ishin takuar me përfaqësues të Real Madridit në dy raste dhe kishin qenë afër marrëveshjes, madje para se të bëhej e ditur dëshira e danezit për të luajtur për Los Blancos.

Megjithatë, ajo që u bë edhe më e qartë ishte refuzimi i vazhdueshëm i drejtorit të klubit londinez, Daniel Levyt, për t’u ulur dhe për ta lejuar largimin e Eriksenit gjatë verës së vitit 2018. Ai kërkonte çmim marramendës për futbollistin, madje edhe verën e kaluar i kërkoi 100 milionë euro për të.

Por drejtuesit e klubit madrilen nuk donin të bënin marrëveshje me një kryetar anglez, i cili është i njohur për qëndrime të ashpra në bisedimet për transferimin e lojtarëve. Ata zgjodhën të prisnin për kohën e duhur.

Ajo kohë erdhi kur kontrata e Eriksenit po skadonte, por rrethana të ndryshme bënë që mesfushori danez të kalojë në Inter.

Kthimi i Zinedine Zidane në postin e trajnerit të Realit ndikoi në zbutjen e interesimit për danezin, sepse francezi e dëshironte Paul Pogban para cilitdo futbollist tjetër dhe e bllokoi transferimin e Eriksenit.

Përkundër të gjitha sinjaleve negative që vinin nga Santiago Bernabeu, Eriksen po priste ofertë nga gjiganti spanjoll. Por një e tillë nuk i erdhi kurrë dhe ai u detyrua t’i dëgjojë ofertat e tjera, me Interin që ishte më i eturi për shërbimet e tij.

Përveç kundërshtimeve nga Zidane, edhe shpërthimi i Donny Van de Beek me skuadrën e Ajaxit në sezonin e kaluar ishte po ashtu pengesën për kalimin e Eriksenit në Real.

-->