Publikohet lista e sportistëve të Kosovës për Lojërat Evropiane Minsk 2019

Sporte tjera 06 Qershor 2019 17:09

Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë publike listën prej 12 sportistëve të Kosovës, të cilët do ta përfaqësojnë vendin tonë në Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019, të cilat mbahen prej 21-30 qershor 2019 në kryeqytetin e Bjellorusisë.

Listës i prinë kampionia Olimpike Majlinda Kelmendi, e cila për herë të parë do të garojë në Lojërat Evropiane. Në Baku 2015 ajo ishte e lënduar.

Sporti i Majlindës, xhudoja, prinë me numrin më të madh të sportistëve, gjithsej pesë, të gjithë të kualifikuar me normë.

Nora Gjakova (kategoria -57 kilogramë), kampione e tanishme e Evropës, si dhe sportistja e vetme me medalje në Lojërat Evropiane, do të synojë të pushtojë podiumin edhe në Minsk.

Tre xhudistët tjerë janë, Distria Krasniqi (-48 kg), medaliste e argjendtë në kampionatin evropian, Akil Gjakova (-73 kg), kampion i Evropës për U-23 dhe Loriana Kuka, kampione e Evropës për U-23 (-78 kg).

Lojërat Evropiane në sportin e xhudos shërbejnë edhe si Kampionat Evropian. Të njëjtën vlerë e kanë edhe për sportin e boksit, të cilët përfaqësohen me katër sportistë.

Kampionia e Evropës për vitin 2016, grupmosha juniore, Donjeta Sadiku, si dhe tre boksierët me të ardhme të ndritur: Shpëtim Bajoku, Patriot Behrami dhe Ardit Delijaj, do të përfaqësojnë sportin e boksit.

Alvin Karaqi, i cili po e ndjek normën Olimpike Tokio 2020, përfaqëson sportin e karatesë. Shigjetaria përfaqësohet me Ardita Zejnullahun, ndërsa listën e kompleton Fatih Karabaxhaku nga pingpongu.

Kosova deri më tani ka një medalje të bronztë në Lojërat Evropiane, të fituar nga Nora Gjakova në Baku 2015.

Në Minsk 2019, Komiteti Olimpik i Kosovës shpreson që sportistët të ngjiten sa më shpesh në podium. Ekipi i Kosovës udhëton drejt Minskut prej 18-20 qershor./Insporti