Punë e kryer: David Luiz braktis Chelsean për Arsenalin

Futboll 08 Gusht 2019 09:24

Arsenali e Chelsea kanë arritur marrëveshje për transferimin e David Luiz.

Luiz, 32-vjeçar, në ditën e fundit të afatit kalimtar do të transferohet nga Chelsea te rivali lokal, transmeton Insporti

Sot (e enjte), një ditë para fillimit të sezonit, në orën 18:00 mbyllet afati kalimtar veror në Angli. Ekipet do të mund të shesin lojtarë deri më 31 gusht, por blerjet nuk do të jenë të mundura pas 8 gushtit.

Sipas gazetarit të BBC-së, burim i afërt me klubin e Arsenalit, David Ornstein, tashmë Chelsea e Arsenali kanë arritur marrëveshje për David Luizin.

Qendërmbrojtësi brazilian raportohet se do të nënshkruajë kontratë 2-vjeçare, derisa do të transferohet për shumën e 8 milionë funteve në ‘Emirates’.

Ndërkaq, Arsenali ka arritur marrëveshje edhe me Kieran Tierneyn e Celticut, me mbrojtësin e majtë që do të nënshkruajë kontratë 5-vjeçare, për 25 milionë funte.

Testet mjekësore do të realizohen sot derisa lojtarët kanë kohë të nënshkruajnë vetëm deri në orën 18:00, kur mbyllet afati kalimtar veror. /Insporti.com/