Putini, babait të Khabibit: “Mos e ndëshko djalin”

Sporte luftarake 11 Tetor 2018 10:02

Presidenti i Rusisë​, Vladimir Putin, i ka kërkuar babait të Khabib Nurmagomedovit të mos e ndëshkojë shumë ashpër të birin e tij për përleshjen që shkaktoi pas fitores kundër Conor McGregorit në Las Vegas.

Nurmagomedovi e ka mbrojtur titullin e tij të kampionit të peshave të lehta në artet e përziera marciale në UFC.

Pasi e detyroi McGregorin të dorëzohet në rundin e katërt, ai e kapërceu kafazin dhe e sulmoi ekipin e irlandezit.

Fillimisht ishte paralajmëruar se Komisioni Atletik i Nevadas mund t’ia merrte titullin e kampionit të peshave të lehta për shkak të përleshjes që ndodhi pas përfundimit të meçit. Megjithatë, ky vendim nuk është marrë ende.

Presidenti i UFC-së, Dana White, ka thënë se edhe nëse Komisioni Atletik i Nevadës vendosë që ta dënojë Khabibin, ata nuk duhet t’ia marrin rripin e tij.

Babai i Nurmagomedovit kishte thënë pas meçit se ai do ta dënonte të birin e tij edhe më ashpër se UFC, duke thënë: “E kam paralajmëruar atë. Për mua, disiplina është më e rëndësishmja”.

Por, në një takim mes këtyre të treve të mërkurën, Putini i ka kërkuar Adbulmanap Nurmagomedovit të mos e ndëshkojë të birin shumë ashpër për përleshjen që kishte ndodhur.

Ai e mbrojti Khabibin për veprimin që bëri, duke thënë: “Nëse ne do të ishim sulmuar nga jashtë, jo vetëm ti, të gjithë ne do të reagonim njëjtë, do ta paguanin shtrenjtë”.