Putini jep lajmin e madh pasi babai i Khabibit u diagnostifikua pozitiv me Covid-19

Sporte luftarake 22 Maj 2020 09:23

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ia ka premtuar babait të Khabib Nurmagomedovit trajtimin më të mirë mjekësor në dispozicion, pasi ai është infektuar me coronavirus dhe ka probleme me zemër.

Lajmin e ka konfirmuar menaxheri i kampionit të peshave të lehta të UFC.

Këtë javë, Khabib e konfirmoi lajmin se babai i tij, Abdulmanap, së fundi e bëri një operacion në zemër dhe se tani është diagnostikuar me coronavirus.

Khabib bëri të ditur se babai i tij është në gjendje kritike, përderisa përfaqësuesi i tij – Ali Abdelaziz – e ka konfirmuar për ESPN se ai është vendosur në komë në Moskë.

“Mund ta konfirmoj se babai i Khabibit është në gjendje kome”, ka thënë Ali Abdelaziz për ESPN.

“Khabibi ka qenë në kontakt me Vladimir Putinin gjatë ditëve të fundit dhe ai i ka premtuar babait të Khabibit se do ta marrë trajtimin më të mirë mjekësor që është në dispozicion”.

“Mesazhi numër një i Khabibit për të gjithë njerëzit në botë është që të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që ta parandalojnë përhapjen edhe më të madhe të coronavirusit”.

-->