Qartësohet situata me borxhet dhe trajnerin në Prishtinë

Basketboll 09 Shkurt 2019 13:00

Pas plasmanit që po quhet historik, në të tetën e finales së FIBA Europe Cup, Z Mobile Prishtina në një konferencë për media ka sqaruar situatën rreth trajnerit dhe borxheve, pas shkrimeve në media dhe rrjete sociale se klubi ia ka lëshuar lojtarët dhe trajnerin Damir Mulaomerovic.

“Trajneri Mulaomerovic, ka bërë shumë punë të mirë me ekipin, mirëpo, ka pasur një situatë të rëndë në jetën private. Po thuajse kushdo tjetër do ta braktiste ekipin, po të ishte në situatën e tij. Mirëpo, ai ka vendosur që të qëndrojë me ekipin dhe do të vazhdojë të prijë lojtarëve, tash kur na pret një duel me Varesen, kampionin e dhjetëfishtë të Italisë”, deklaroi Kryetari i klubit Blearand Stavileci, transmeton Insporti.

Mediat dhe persona të ndryshëm kishin shkruar se Mulaomerovic, i cili është edhe selektor i Kosovës, do të braktisë Z Mobile Prishtinën, madje ka pasur edhe shkrime se kush do të jetë pasuesi i tij në krye të ekipit dhe gjëra të ngjashme.

Stavileci po ashtu pohoi se klubi këtë sezon nuk ka borxhe ndaj lojtarëve ose stafit këtë sezon dhe ëhstë në proces të shlyerjes së borxheve nga vitet e kaluara.

“Jemi ekipi me buxhetin më të vogël, në 16shen e mbetur në FIBA Europe Cup, mirëpo, kjo nuk na ka ndalur të kërkojmë suksese të reja. Klubi nuk ka krizë, përkundër spekulimeve dashakeqe, madje kurrë më mirë nuk i kemi pasur punët”, sqaroi më tej Stavileci, transmeton Insporti.

Vetë trajneri Mulaomerovic, pohoi se do të mungojë disa ditë, por njerëzit këtu i ndjen si një familje të tij dhe do të mungojë pak, por do të bëjë maksimumin për Final 8 të Kupës së Kosovës dhe ndeshjet me varësen, që sipas tij do të jenë “festival i basketbollit”.

Mulaomerovic, po ashtu përshëndeti tifozët të cilët krijuan atmosferë të shkëlqyeshme dhe mundësuan fitore ndaj një klubi të madh.

Në konferencën për media, Drejtori i klubit Florian Miftari sqaroi situatën me lojtarët ndërkombëtare që kanë luajtur për Z Mobile Prishtinën këtë sezon.

“De Mario Mayfield nuk vazhdon më me ne sepse me të kemi pasur marrëveshje që kemi mundur ta shkëpusim dhe jemi pajtuar të dyja palët për një gjë të tillë. Sa i përket Kyan Andersonit, kemi pasur kontratë që ka lejuar shkuarjen e tij me dëmshpërblim dhe ish klubi i tij nga Gjermania e ka blerë lojtarin dhe nuk kemi pasur metodë si ta ndalim”, citon Insporti nga deklarata e Miftarit.

Miftari pohoi se klubi është duke kërkuar dy zëvendësime cilësore për këta lojtarë, madje paralajmëroi se plejmejkerin do ta prezantojë klubi ditëve të ardhshme.