“Qesharake që vajzat dhe djemtë të marrin paga të barabarta” – deklarata e trajnerit që po bën bujë

Futboll 13 Gusht 2019 15:37

Edhe pasi Jose Mourinho e quajti Frank de Boer-in trajnerin më të dobët në histori të Premierligës, vetëbesimi i holandezit mbetet i madh. Së fundi, ai ka thënë se vajzat nuk duhet të marrin paga të barabarta me djemtë për arritje në nivelin ndërkombëtar.

Frank De Boer kishte qenë kapiten i ekipit kombëtar të Holandës, që arriti ta marrë vendin e katërt në Kupën e Botës 1998, në Francë. Këtë vit, ekipi kombëtar i vajzave të Holandës arriti deri në finale të Kupës së Botës, ku humbën kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, Federata e Futbollit e Holandës e ka marrë iniciativën për t’i nivelizuar pagat për ekipin kombëtar të vajzave dhe të djemve. Pagat e vajzave do të rriten gradualisht deri në vitin 2023, kur pritet të fitojnë po aq sa bashkëkombësit e tyre djem.

Ekipi kombëtar i vajzave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kanë paditur Federatën e vet për shkak se djemtë, që as nuk u kualifikuan në Kupën e fundit të Botës, fitojnë më shumë sesa vajzat, të cilat janë shpallur dy herë radhazi kampione të Botës.

Megjithatë, De Boer beson se vajzat nuk meritojnë pagë të njëjtë me djemtë.

“Mendoj se, për mua, kjo është qesharake. Është e njëjta me tenisin. Nëse finalen e Kupës së Botës e shikojnë të themi rreth 500 milionë njerëz, ndërsa finalen e vajzave e shikojnë 100 milionë, atëherë këtu është dallimi”, ka thënë De Boer.

“Kështu që nuk është e njëjta. Dhe natyrisht ato duhet të paguhen aq sa e meritojnë dhe jo më pak, por pikërisht sa e meritojnë. Nëse janë aq të famshme sa djemtë, do të fitojnë po aq për shkak të reklamave dhe gjërave të tilla”.