Rahoveci – Prishtina, ky është parashikimi i Dardan Berishës

Superliga 09 Maj 2019 18:58

Nesër, në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, zhvillohet ndeshja e katërt e serisë finale të play-off-it në Superligën e Kosovës në basketboll.

Në një atmosferë që pa dyshim do të jetë “e zjarrtë”, Rahoveci synon që për herë të dytë të fitojë ndaj Prishtinës dhe ta barazojë rezultatin në 2:2.

Mirëpo, edhe te Prishtina nuk e fshehin optimizmin për fitore, e cila do t’i kurorëzonte me titullin e kampionit.

Basketbollisti më i mirë në Kosovë, Dardan Berisha, ka thënë se Prishtina udhëton për fitore, por njëkohësisht ka shprehur respekt për Rahovecin. “Synimi ynë është që këtë vit shumë të gjatë dhe të suksesshëm ta mbyllim në mënyrën më të mirë, prandaj në Rahovec shkojmë për fitore”, ka thënë Berisha.

“Është e sigurt se do të jetë një ndeshje e vështirë për ne, sepse Rahoveci ka ekip mjaft të mirë dhe trajneri i tyre Bujar Loci e ka komponuar skuadrën në mënyrën më të mirë. Përveç kësaj, dihet edhe atmosfera që krijojnë tifozët e tyre, por unë nuk dyshoj se do jetë atmosferë miqësore, ndërsa le të fitojë më i miri. Thjesht, njerëzit le të kënaqen me bukuritë e basketbollit”, ka shtuar Berisha. Ndeshja fillon në orën 20:30.