Ramadani: Do ta sulmojmë Prishtinën nga fillimi i ndeshjes, kemi një përparësi ndaj tyre

Futboll 15 Maj 2019 18:33

Trajneri i Feronikelit, Zekirja Ramadani është shprehur i lumtur me fitoren ndaj Llapit dhe se ndaj Prishtinës do të luajnë vetëm për fitore, shkruan Insporti.com.

Ai ka uruar futbollistët e tij për këtë fitore të rëndësishme dhe në “finalen” ndaj Prishtinës skuadra e tij do t’i ketë dy rezultate.

“Uroj futbollistët për fitoren, sot u arrit objektivi ishte një pjesë e parë e barabartë, në pjesën e dytë u treguam më këmbëngulës arritëm të shënonim golin e tretë. Dolëm nga vetvetja u munduam të humbasim kohen dhe të ruanim energjinë, është normale pasi kanë mbetur edhe 90 minuta. Është e mirë që luajmë para tifozëve, kemi dy rezultate në lojë, do të luajmë për fitore dhe do ta fitojmë titullin e kampionit”, ka thënë Ramadani për Supersport Kosova, transmeton Insporti.com.

Tuje, Ramadani ka thënë se “Nikli” ndaj Prishtinës do të luajë vetëm për fitore.

“Ne duhet të dalim për të fituar takimin, nëse dalim të luajmë për barazim do të kemi shumë vështirë, ne nuk dimë të mbrohemi kemi sulmuar në çdo takim edhe ndaj Prishtinës do të sulmojmë. Ne do të përgatitemi në maksimum për të fituar titullin e kampionit. Këtë vit kemi qenë shumë të disiplinuar nuk kemi marr kartonë të shumtë”, ka përfunduar Ramadani.

Me këtë humbje Llapi renditet në pozitën e tretë me 69 pikë, ndërsa “Nikli” vazhdon të jetë lider i Superligës me 77 pikë.

Kujtojmë se javën e ardhshme Feronikeli është nikoqir i Prishtinës në xhiron e fundit të kampionatit dhe në atë ndeshje do të përcakohet kampioni i ri i Kosovës në futboll. /Insporti.com/