Ramadani flet para ndeshjes së nesërme ndaj Ferencvaros: “Kemi mision mjaft të vështirë”

Futboll 12 Korrik 2021 20:52

Kryetrajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani ka mbajtur konferencë për media para ndeshjes së nesërme ndaj kampionit hungarez, Ferencvarosit, që luhet në kuadër të garës më prestigjioze për klube, Ligës së Kampionëve, shkruan Insporti.  

Ramadani këtë ndeshje e cilësoi si një mision mjaft të vështirë, teksa tregoi edhe për mungesat që do t’i kenë nesër klubi.

“Mungesat janë evidente, si Dellova dhe Abazi, por gjithsesi kemi futbollistë qe do t’i zëvendësojnë denjësisht ata”.

“Për ndryshime eventuale në përbërje do të shohim gjatë seancës së sotme strvitore dhe pastaj vendosim”.

Ramadani u pyet edhe lidhur me zërat se brenda klubit ka bojkot nga futbollistët, gjë të cilën e mohoi trajneri Ramadani.

“Jo, nuk ekziston asnjë bojkot nga futbollistët, për herë të parë po e dëgjoj, por nëse e quajmë mungesë rroge dy muaj, është e tepërt të flitet dhe unë e konsideroj normale për çdo klub, sidomos tani që boten e ka kapluar kjo krize e madhe financiare pas pandemisë” – përfundoi Ramadani.

Kujtojmë se, kampioni i Kosovës u mposht në Hungari me rezultat 3-0.

Ndryshe, takimi Prishtina – Ferencvaros luhet nesër (e martë) në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe starton me fillim nga ora 20:00. /Insporti.com  

-->