Raport i UEFA-s për kërcënimet, shantazhet dhe politikën në futbollin e Shqipërisë

Futboll 17 Shkurt 2018 12:52

Çështja e Klubit të Futbollit Skënderbeu dhe hetimet që ndaj këtij klubi po i zhvillon UEFA ditëve të fundit përbëjnë temën kryesore të sportit në Shqipëri.

Mediat në Shqipëri kanë publikuar raportin 93 faqësh të hetimeve të UEFA-s që paraqet një hetim të thelluar mbi manipulimet e ndeshjeve të Skënderbeut të Korçës për qëllim vënien e basteve sportive si dhe për lidhjet mes futbollit, politikës, industrisë së basteve në Shqipëri dhe nëpër botë si dhe personave me dënime penale në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Lidhur me këtë hetim UEFA dje ka pohuar se hetuesit e saj edhe janë kërcënuar me jetë, në çka shtëpia evropiane e futbollit ka reaguar ashpër.

Në raport përveç drejtuesve të KF Skënderbeut dhe lojtarëve të këtij klubi, përmendet edhe Ridvan Bode, ish ministër i financave për shumë vjet dhe një prej politikanëve më me ndikim në Shqipëri, për të cilin thuhet se ka kërcënuar trajnerin e Dinamos Luis Manuel Blanco, më 2011, nëse nuk e humb ndeshjen me Skënderbeun.

reagimin e klubit Skënderbeu në facebook thuhet se hetimet ka kohë që zhvillohen, nuk ka vendim përfundimtar dhe mohohet përfshirja në kërcënime me jetë të inspektorëve të UEFA-s.

Sipas raportit të UEFA-s, për kurdisje të ndeshjeve dyshohet Presidenti i KF Skënderbeu Ardjan Takaj, ish Presidenti i këtij klubi Agim Zeqo dhe një numër i madh i futbollistëve, trajnerëve dhe punëtorëve sportiv.

Gjithsej, 53 ndeshje të luajtura nga Skënderbeu klasifikohen si të dyshimta nga sistemi BFDS.

“Siç do ta demonstrojnë ekspertët në seancë para organeve disiplinore të UEFA, modelet statistikore dhe matematike të BFDS-së janë të sakta dhe do të konfirmojnë, në masë të konsiderueshme për panelin, se skuadra shqiptare Skënderbeu ka qenë vazhdimisht e përfshirë në aktivitete të fiksimit të ndeshjeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar përgjatë shtatë viteve të fundit,” shkruhet në raport.

UEFA pritet së shpejti të marrë një vebdim bazuar ne hetimet e bëra deri më tani. Kurdisja e ndeshjeve nga ekipet shqiptare, ka qenë edhe me herët dukuri e trajtuar, hetuar dhe dënuar nga UEFA.

-->