Raporti kronologjik: Skënderbeu dëbohet nga Evropa

Futboll 29 Mars 2018 17:16

Çështja e Klubit të Futbollit Skënderbeu dhe hetimet që ndaj këtij klubi po i zhvillonte UEFA ditëve të fundit përbëjnë temën kryesore të sportit në Shqipëri.

Mediat në Shqipëri kishin publikuar raportin 93 faqësh të hetimeve të UEFA-s që paraqiste një hetim të thelluar mbi manipulimet e ndeshjeve të Skënderbeut të Korçës për qëllim vënien e basteve sportive si dhe për lidhjet mes futbollit, politikës, industrisë së basteve në Shqipëri dhe nëpër botë si dhe personave me dënime penale në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Lidhur me këtë hetim UEFA kishte pohuar se hetuesit e saj edhe janë kërcënuar me jetë, në çka shtëpia evropiane e futbollit ka reaguar ashpër. Në raport përveç drejtuesve të KF Skënderbeut dhe lojtarëve të këtij klubi, përmendet edhe Ridvan Bode, ish ministër i financave për shumë vjet dhe një prej politikanëve më me ndikim në Shqipëri, për të cilin thuhet se ka kërcënuar trajnerin e Dinamos Luis Manuel Blanco, më 2011, nëse nuk e humb ndeshjen me Skënderbeun.

Klubi i Skënderbeut kishte reaguar në Facebook,  ku thuhej se hetimet ka kohë që zhvillohen, nuk ka vendim përfundimtar dhe mohohet përfshirja në kërcënime me jetë të inspektorëve të UEFA-s. Sipas raportit të UEFA-s, për kurdisje të ndeshjeve dyshohet Presidenti i KF Skënderbeu Ardjan Takaj, ish Presidenti i këtij klubi Agim Zeqo dhe një numër i madh i futbollistëve, trajnerëve dhe punëtorëve sportiv. Gjithsej, 53 ndeshje të luajtura nga Skënderbeu klasifikohen si të dyshimta nga sistemi BFDS.

“Siç do ta demonstrojnë ekspertët në seancë para organeve disiplinore të UEFA, modelet statistikore dhe matematike të BFDS-së janë të sakta dhe do të konfirmojnë, në masë të konsiderueshme për panelin, se skuadra shqiptare Skënderbeu ka qenë vazhdimisht e përfshirë në aktivitete të fiksimit të ndeshjeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar përgjatë shtatë viteve të fundit,” shkruhet në raport.

Trajneri i KF Prishtinës Mirel Josa ishte poashtu pjesë e raportit të UEFA-s ku hetohen kurdisjet e ndeshjeve të KF Skënderbeu. Në raportin hetues ku zbardhen ose sqarohen lidhjet e krerëve të KF Skënderbeu dhe të futbollit shqiptar në njerëz të politikës, industrisë së basteve dhe krimit të organizuar, përmendet edhe trajneri aktual i Prishtinës, ish trajner i Skënderbeut.

Për trajnerin aktual të Prishtinës thuhet se ka qenë pjesë e dyshimeve edhe për kurdisjen e ndeshjes Skëndebeu – Silkeborg nga nga rezultat 2:1 në pjesn e parë, kishte përfunduar 2:4, duke ardhë 1-2 siç thuhet në zhargonin e bastoreve. Josa në pjesën e dytë të kësaj ndeshjeje kishte bërë 8 zëvendësime të lojtarëve!

E përditshmja prestigjioze londineze The Guardian më 19 Mars kishte shkruar për çështjen e Klubit të Futbollit Skënderbeu, gjegjësisht me skandalin që ka tronditur futbollin shqiptar.

Gazetari i Guardianit Nick Ames thotë se ka parë raportin e UEFA-s për manipulimin e ndeshjeve, pavarësisht se ai nuk është bërë publik. Në raport konkludohet se “Skënderbeu ka manipuluar ndeshjet e futbollit si askush tjetër në historinë e kësaj loje”.

Sipas raportit, Skënderbeu ka vepruar praktikisht si një makineri e krimit të organizuar. UEFA nuk e ka konfirmuar dhe as e ka mohuar autenticitetin e dokumentit.

Në raport theksohej se Skënderbeu ka manipuluar me qëllim përfitime kriminale në shkallë globale. Sipas raportit, janë fituar miliona dollarë. Po ashtu aty thuhet se ky klub nuk ka respekt për integritetin e lojës. Në raport thuhet se klubi ka ngritur një strukturë të organizuar shumë mirë, me qëllim vjeljen e shumave të mëdha nga bixhozi.

Institucioni më i lartë i futbollit në Evropë, më 21 Mars ka marrë vendim që të dënojë klubin nga Korça, Skënderbuen. Ky lajm është fshehur dhe nuk është bërë publik deri më sot.

Dënimi i shqiptuar nga UEFA për Skënderbeun, do të njëllos Kategorinë Superiore të Shqipërisë në emër të klubit korçar. Skënderbeu është përjashtuar nga të gjitha garat evropiane për 10 vjet, gjithashtu, ata janë gjobitur me 1 milionë euro nga trupi diciplonor i kontrollit dhe etikës.

Kohë më parë FSHF-ja kishte hequr titullin e sezonit 2015/2016, për shkak se UEFA kishte pezulluar Skënderbeun pikërisht për trukime. Drejtuesit e Skënderbeut e dërguan vendimin në gjykatën e arbitrazhit të sportit, duke mos pranuar vendimin e Komisionit të Etikës.

Gjykata e Arbitrazhit të Sportit, ka caktuar datën 13 prill, si ditën kur do të marrë një vendin zyrtar për çështjen e titullit kampion të sezonit 2015-2016, që FSHF ia hoqi ekipit të Skënderbeut. /Insporti.com

-->