Rashica emocionon me fjalët për Kosovën

Kombëtarja 23 Janar 2020 18:04

Milot Rashica synon ta sigurojë kualifikimin me “Dardanët” në Euro 2020 përmes Ligës së Kombeve. Ai i ka përshkruar ndjenjat që i përjeton me Verdhekaltrit dhe ka folur edhe për tifozët kosovarë

Rashica është i fokusuar për momentin tek ekipi i tij, Werder Bremen, me të cilin po bën paraqitje mbresëlënëse.

Por, në mendjen e tij nuk ka se si të mos jetë edhe Përfaqësuesja e Kosovës.

Pas dy muajsh, “Dardanët” i pret një ndeshje jetike me Maqedoninë e Veriut, në gjysmëfinale të “Play-Offit” të Ligës së Kombeve.

Përmes ndeshjes që do të luhet në Shkup, Kosova mund ta kërkojë kualifikimin në Euro 2020 në finalen eventuale ndaj Gjeorgjisë ose Bjellorusisë.

Vushtrriasi shprehet optimist se të përzgjedhurit e trajnerit Bernard Challandesit do të kalojnë mirë në muajin mars.

“Për ne, kualifikimi në Evropian do të ishte gjëja dhe e arritura më e madhe e të gjitha kohëve”, ka thënë Rashica për uebfaqen zyrtare të Werder Bremenit.

23 vjeçari e ka kujtuar edhe ndeshjen e parë zyrtare të Kosovës ndaj Finlandës, në kualifikimet e Botërorit 2018, vetëm pak muaj pas pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA e FIFA.

Atë takim, ai e konsideron si të paharrueshëm dhe vërtet historik.

Rashica po ashtu iu ka treguar gjermanëve se kudo që shkon, ekipi kombëtar i Kosovës i ka prapa tifozët, por edhe mbarë popullin kosovar.

“Kudo që shkojmë, të gjithë na vijnë pas. Njerëzit mbesin në rrugë pasi stadiumet janë shumë të vogla për ne. Një stadium më i madh do të ndërtohet, sepse kapaciteti i stadiumit aktual nuk e përballon kërkesën e lartë të tifozëve. Është një çmenduri”, ka përfunduar Rashica.

Kosova e bëri një kampanjë të shkëlqyeshme në kualifikimet e Euro 2020, por përfundoi në pozitën e tretë në Grupin A, prapa Anglisë e Republikës Çeke, që ishte e pamjaftueshme për t’u kualifikuar direkt.

-->