Rashica mungon disa javë, trajneri i Werderit me njoftim të rëndësishëm

Kombëtarja 21 Gusht 2019 09:15

Trajneri i Werder Bremenit, Florian Kohfeldt, ka folur për lëndimin e Milot Rashicës që ylli kosovar e pësoi ndaj Fortuna Dusseldorfit.

Klubi i Werder Bremenit gjatë ditës së djeshme njoftoi se ‘Raketa’ do të mungojë për disa javë, transmeton Insporti

“Lajm i keq për Werder Bremenin: Milot Rashica ka pësuar lëndim muskuli në ndeshjen ndaj Fortuna Dusseldorfit në Bundesligë. 23-vjeçari nuk do të jetë i gatshëm për ne për disa javë shkaku i këtij lëndimi”, thuhej në njoftim të Werder Bremenit.

Ndërkaq, trajneri i Werderit, Kohfeldt, tha se Rashica është një prej lojtarëve më të mirë të skuadrës, andaj ky do të thotë lajm shumë i keq.

“Ai është një prej lojtarëve tanë më të mirë që mund të luajë i vetëm, dhe i cili i vetëm mund t’i vendosë ndeshjet. Ky lëndim është gjithçka përveç lajm i mirë”, tha ai.

“Sidoqoftë, ne kemi ekip që mund të fitojë në Hoffenheim”, shtoi Kohfeldt.

Rashica është lojtari i gjashtë në ekipin e Werderit që tani po vuan nga lëndimi.

Ndërkaq, te Kosova tashmë veçse mungojnë dy lojtarë kyç: selektori Bernard Challandes nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Hekuran Kryeziut e Arbër Zenelit, të cilët pritet të mungojnë gjatë.

Kosova i zhvillon dy ndeshjet e radhës më 7 e 10 shtator, ndaj Çekisë, respektivisht Anglisë, ku Rashica, ashtu si Zeneli e Kryeziu nuk do të jetë i gatshëm për lojë. /Insporti.com/