Rashica shënoi super gol, por kjo foto pas ndeshjes do t’ua prekë zemrat

Kombëtarja 25 Prill 2019 08:45

Milot Rashica ka shënuar mbrëmë super gol, në ndeshjen ndaj Bayern Munichut në gjysmëfinale të kupës.

Në gjysmëfinalen e DFB Pokal të luajtur në ‘Weserstadion’, Werderi i Rashicës u eliminua pasi u mund me rezultat 2:3, shkruan Insporti

Bayerni shënoi dy golat e parë në ndeshje, me anë të Roobert Lewandowskit e Thomas Mullerit në minutat 36′ e 63′, para se në skenë të dilte Milot Rashica që ndërroi gjithçka brenda vetëm dy minutave.

Anësori kosovar fillimisht asistoi te goli i Yuya Osako i shënuar në minutën e 74′, derisa vetëm disa sekonda më vonë realizoi për ta barazuar rezultatin në 2:2.

Por, paraqitja ‘magjike’ e Rashicës nuk mjaftoi, pasi bavarezët e shënuan golin e fitores me anë të Lewandowskit nga penalltia, në minutën e 80′.

Werderi kësisoj u eliminua në gjysmëfinale, derisa bavarezët në finale do të kenë përballë RB Leipzigun, që e mposhti Hamburgun në gjysmëfinale.

Pas ndeshjes me Bayernin, Rashica është parë tejet e zhgënjyer në fushën e lojës, pasi as goli dhe asisti nuk arritën ta ndihmojnë skuadrën e tij.

Rashica shkëlqeu në kupë këtë sezon, ku në katër ndeshje gjithsej ka realizuar tre gola dhe ka dhuruar një asist. Në këtë garë, futbollisti nga Vushtrria shënoi ndaj skuadrave të mëdha, si Borussia Dortmund, Schalke 04 e së fundmi Bayern Munich. /Insporti.com/